English

Rruga që duhet të shkelë opozita

Nga Skënder Minxhozi

U kthye në një modë të përsëritur. Pas çdo procesi zgjedhor. Të paktën që nga qershori i vitit 2009. Fjala është për rrugën që opozita duhet të shkelë, për t’u ngjitur në majën e malit të fitores politike. Një ngjitje deri tani e dështuar, ose së paku e paarrirë, në situata të ndryshme, por me pasoja të ngjashme: pesimizëm, debat i brendshëm, vënie nën trysninë e një korpusi mediash që sa vjen e rritet nën hijen e qeverisë aktuale, pasivitet dhe kotësi në radhët e votuesve e militantëve. Fitorja përballë të djathtës së nginjur në para e të pajisur me të gjithë arsenalin e hileve të pushtetit, duket një mirazh që ikën e ikën papushim nga duart e Ramës dhe të tjerëve në PS.

Çfarë identikiti duhet të ketë fitorja politike e së majtës më 2013? Çfarë shtegu duhet ndjekur që më në fund, rotacioni tetëvjeçar i pushtetit të ndodhë vërtetë, për t’i prerë rrugën kësaj qeverisjeje “me vesh”, ose pa busull, me sy të lirë, siç thonë batutat e bareve të Tiranës këto kohë? Që prej 8 majit, kur Tirana u mor në tavolinë, çka e ktheu një fitore në humbje, me një të ngritur të dorës së tetë gjyqtarëve, të cilëve tashmë s’ua mban më mend emrin askush, kjo dilemë është rikthyer e fuqishme brenda opozitës. Të gjitha shpirtrat e këtij krahu politik janë vënë në lëvizje, secili në optikën dhe logjikën e vet, për të identifikuar kursin e ri (i cili mund të jetë sërish një film i parë tashmë), që duhet të ndjekë Rama, Gjinushi, Milo e Ngjela, për të mundur më në fund Berishën, Metën, Mediun e të tjerët rreth tyre.

Faktikisht, fjala identikit i shkon më shumë një individi, sesa një kauze politike. Dhe kundërshtarët e vjetër e të rinj të Edi Ramës në PS, nuk munguan, ndonëse jo me intensitetin e verës së vitit 2009, që të hedhin në treg idenë se lidershipi Rama është defektoz, se ai s’mund të sigurojë kthimin e PS në pushtet dhe se, me fjalë të tjera, duhet një njeri tjetër në krye të partisë. Kjo puna e lidershipit kësaj radhe është ca e vështirë. Dhe arsyeja është e thjeshtë: humbja, ashtu siç e pamë të shfaqet, e Edi Ramës në Tiranë, ka qenë dhe është njëherësh edhe alibia e madhe e tij personale, për të mos paguar atë që në kushte të tjera do të ishte një faturë e kripur politike. Rama nuk fitoi me 20 mijë vota distancë, ai nuk e poshtëroi publikisht kundërshtarin e tij, i cili arriti një fitore politike personale më 8 maj. Por nga ana tjetër, Ramës iu mor në tryezë një mandat i fituar në garë, qoftë dhe me një rezultat shifror milimetrik. Kjo rrokadë hileqare gjyqësore në kokën e bashkisë, duket se mbyll, deri në vitin 2013, debatin e brendshëm në PS për lidershipin.

Prej ku dalim tek aspekti tjetër i nxehtë i çështjes. I cili ka të bëjë me atë listë korrigjimesh që kreu i opozitës dhe e gjithë struktura pas tij, duhet të ndërmarrim pa humbur kohë, për të sjellë së paku një qetësi dhe një siguri relative, në raport me zgjedhjet e ardhshme. Hapi i parë i ri që njoftohet, në fakt është një hap i vjetër. Opozita ka deklaruar se do t’i kthehet Parlamentit. Një veprim politikisht korrekt, që thyen atë që socialistët e kanë parë si linjë të fortë të dy vjetëve të fundit dhe që krijon premisat (por vetëm premisat), që ndërkombëtarët të zbusin pak shikimet që kanë hedhur deri tani mbi ta. Duke u futur në Kuvend, PS duhet të llogarisë së pari se po bëhet pjesë e një institucioni, drejtimi i të cilit ka qenë “i keqpërdorur politikisht”, siç thotë opinioni i dhjetorit i Komisionit Europian. Së dyti, duke u futur në një parlament ku rregullorja është ndryshuar sipas dëshirës së dy personave (Berisha dhe Topalli), ata duhet ta dinë se riskojnë të kthehen në një butafori demokratike të një sistemi, i cili sot është thellësisht defektoz. Së treti, pa kryetarin e tyre në sallë, socialistët kanë provuar se dinë të shfaqin shumë lehtë dobësinë e tyre, para forcës së tyre, përballë kuadratit ushtarak të maxhorancës, që drejtohet nga monologjet kilometrike të Berishës.

Por nga ana tjetër, edhe ajo që quhet rruga e fortë, duket se është konsumuar, e nuk mund të përbëjë një identikit të besueshëm fitoreje në vitin 2013. Nëse në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, PS dhe kreu i saj luajti butë, më 8 maj opozita u mundua të luajë fort. Të paktën provoi. Të dyja rrugët nuk sollën përmbysje, e për këtë fajin e ka jo vetëm strategjia politike, por edhe sistemi elektoral, shitblerjet e minutës së fundit, rreshtimi i shtetit e institucioneve të tij kundër opozitës dhe vjedhjet nën e mbi tavolinë. Duket pra se kampi kundërshtar i Berishës duket në një rrugë pa krye dhe se pas njëzet vjet tranzicioni, e vetmja histori suksesi (çfarë ironie), është ajo e Doktorit.

Ajo që duket se i duhet kësaj opozite, ashtu siç është sot, e lodhur, e demotivuar dhe ndoshta e pashpresë, është një vizion. Fjalë e rëndë, në një ambient ku pikërisht mungesa e vizionit ka lënë në mes të rrugës shumë projekte politike. E rëndë vërtet, pasi ky term ngërthen shumë elemente brenda tij. Një program i ri politik, një mënyrë të re e artikulimit publik, një qasje e ndryshme ndaj aktorëve të spektrit politik dhe mbi të gjitha aftësia për të bindur si fshatarët e Myzeqesë, ashtu edhe diplomatët e Uashingtonit, se kjo është alternativa që do të vijë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Pa kaluar nëpër piketat e kësaj liste, të cilat natyrshëm janë më të shumta se kaq, duket e vështirë, tepër e vështirë, që opozita shqiptare dhe kreu i saj Rama, të heqin qafe kompleksin që krijuan në gjashtë vjetët e fundit, në raport me fitoren politike mbi Berishën dhe të fitojnë bindshëm mbi panelin e tij politik. Më 8 maj u pa se duhet fituar mundësisht thellë. Pasi fitoret “normale”, ato me pak vota, mund të shkojnë sërish në dorën e anonimëve të Kolegjit. Dhe fundi dihet...

Gazeta “Mapo”

KOMENTE