English

SPECIALE/ Ç’është agjërimi në fenë islame?

Sado thellë që të futesh në histori, në të gjitha komunitetet dhe shoqëritë shihet prania e një mendimi fetar. Madje mendimi fetar mund të haset edhe në popullatat primitive.

Përkufizimi terminologjik i fesë është kështu: “Feja është tërësia e ligjeve hyjnore që i shtyjnë qeniet me arsye në gjërat që janë mirësi në vetvete!” Feja u drejtohet, u flet qenieve me arsye. Kështu, njerëzit si qenie me arsye, i kryejnë adhurimet me vullnetin e vet. Feja ia jep vullnetit të drejtën që i takon, ajo nuk e paralizon vullnetin. Dhe pika ku i shtyn feja njerëzit, është e mira absolute.

Këtë orientim, feja e trajton para së gjithash nga aspekti i besimit. Ndoshta njeriu qoftë edhe vetëm me arsyen e vet mundet ta konceptojë se ekziston një krijues që e ka krijuar atë vetë dhe tërë gjithësinë. Por kur njeriu ta dëgjojë përmendjen e Zotit nga zëri gurgullues i një profeti, me një zë që e mbështet miratimin e ndërgjegjes së vet, arrin të ketë një besim ashtu siç në fakt duhet besuar.

Ndërkaq, që një besim i tillë të mund të mbetet gjithmonë i freskët në zemra për të mos u vjetëruar dhe zvenitur, varet nga adhurimi.[1] Falë të adhurimit, besimi mund të mbetet gjithmonë i ri pa u vjetëruar fare. Prandaj, çdo njeri që bën adhurim, duhet t’i vlerësojë mirë fuqinë dhe forcat moralo-shpirtërore shtytëse dhe mbështetëse që priten prej besimit në mënyrë që ta ngulitë besimin. Adhurimi është shprehja më e patëmetë e faktit që Allahu është Zot, kurse njeriu rob, si dhe përbëhet nga rregullimi i qëndrimeve dhe sjelljeve të një robi të vërtetë ndaj një Zoti të vërtetë përmes marrëdhënieve “krijues-krijesë”!

Një aspekt tjetër i fesë sheh nga marrëdhëniet ndërnjerëzore (civile).[2] Prandaj, njeriu që beson duhet t’i rregullojë marrëdhëniet me njerëzit në përshtatje me pëlqimin e Zotit. Për shembull, morali dhe parimet e tregtisë duhet të sillen në përshtatje me kriteret e Allahut, sepse në këtë mënyrë njeriu, duke i braktisur dëshirat dhe kërkesat e egos, u nënshtrohet urdhrave dhe kërkesave të Zotit.

Shkurt, feja është një e tërë. Jetesa fragmentare e fesë buron nga moskuptimi i plotë i saj. Feja është si një pemë. Çështjet mbi besimin janë rrënjët e saj, specifikat mbi adhurimin janë degët dhe gjethet, marrëdhëniet ndërnjerëzore janë lulet, ndëshkimet penale janë mbrojtësi, kurse specifika të tilla si lutjet janë elementët që e ushqejnë pemën nga poshtë e nga sipër. Ja, feja që paraqet një tërësi dhe unitet të tillë, është parashtruar tërësisht nga Allahu dhe na është përcjellë dhe mësuar neve nga ana e Profetit.

Një pjesë të adhurimeve që janë njëra prej specifikave që e formojnë fenë, e përbën agjërimi.

Ç’është agjërimi në fenë islame?

Në gjuhën arabishte, agjërimi emërtohet savm dhe do të thotë “largim, pengim, shkëputje, ndërprerje”. Kurse si term do të thotë “ndërprerje e ngrënies, pirjes dhe marrëdhënieve seksuale nga agimi gjer në mbrëmje me një synim të caktuar dhe në mënyrë të vetëdijshme.”

Si shumë konkluzione dhe urdhra, edhe agjërimi është bërë detyrim (farz) jo në vitet e para të Islamit, por në periudhën e Medines. Si datë, agjërimi është bërë detyrim në muajin shaban të vitit të dytë të hixhretit.

Çdo fe u ka sjellë ndjekësve të saj një sërë urdhrash dhe ndalimesh duke i bërë përgjegjës për respektimin e tyre. Kjo përgjegjësi ekziston pak a shumë në të gjitha fetë, qofshin të vërteta apo bestyte. Personi që përfaqëson një fe dhe mendim, e tregon besnikërinë ndaj saj vetëm me këto veprime, pra duke i zbatuar urdhrat dhe duke iu shmangur akteve dhe veprimeve të ndaluara. Edhe Islami si fe e drejtë dhe e vërtetë, i ka urdhëruar përfaqësuesit e vet të kryejnë disa adhurime duke e vënë këtë si kusht të të qenit musliman. Kur’ani i trajton çështjet në përgjithësi, kurse ai që e ka zbërthyer atë në hollësi, është i Dërguari i Allahut të cilit i është zbritur Kur’ani. Prandaj, komentuesi[3] më i madh i Kur’anit është i Dërguari i Allahut, profeti Muhamed.

Argumente për faktin që agjërimi është detyrim (farz), gjenden edhe në Kur’an, edhe në fjalët dhe veprimet e Profetit (Sunet).

a) Argumentet nga Kur’ani për farzin (detyrimin) e agjërimit

Ajetet si më poshtë tregojnë se në fenë islame agjërimi është farz (detyrim). “O ju që keni besuar, ashtu siç u bë mbajtja e agjërimit farz për paraardhësit tuaj, u bë edhe për ju që të ruheni!”[4] “Ato ditë të numëruara janë muaji i Ramazanit. Në atë muaj u zbrit Kur’ani që përmban argumentet më të hapura e të shkëlqyera, që është udhëzues për njerëzimin, që i çon njerëzit në rrugë të drejtë dhe e ndan të drejtën nga e shtrembra. Tani e tutje, kush nga ju e sheh hënën e re të muajit të ramazanit, të agjërojë. Kush është i sëmurë ose udhëtar, t’i agjërojë më pas, aq ditë sa ka lënë pa agjëruar. Allahu kërkon për ju lehtësi, jo vështirësi. Ai kërkon t’i plotësoni ditët e agjërimit dhe ta madhëroni Atë që ju tregon rrugën e drejtë. Allahu ju bën këtë lehtësi që ta falenderoni!”[5]

b) Argumentet nga Suneti për farzin (detyrimin) e agjërimit

“Islami është ngritur mbi pesë parime: dëshmimi se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe profeti Muhamed është robi dhe i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi i ramazanit, vizita në Qabe për ata që kanë mundësi.”[6]

Një transmetim tjetër që bën të ditur se agjërimi është farz, është ky:

“Te Profeti erdhi një burrë me trup e flokë të çrregullt dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A më tregon se ç’ka bërë të detyrueshme si agjërim Allahu për mua?” Dhe Profeti iu përgjigj: “E bëri farz muajin (agjërimin) e ramazanit!” Burri e pyeti përsëri: “A ka për mua ndonjë borxh tjetër veç kësaj?” Profeti i tha: “Jo, përveç asaj që mund të bësh vetë si nafile!” Burri e pyeti Profetin përsëri: “Më trego për zeqatin që e bëri Allahu farz!” Profeti i tregoi atij rrugët dhe parimet e Islamit. Më në fund, burri tha kështu: “Betohem në Allahun që të ka dhuruar ty se s’kam për të bërë as më shumë e as më pak se këto që më the!” Atëherë, Profeti tha: “Po qe se thotë drejt, ky njeri ka shpëtuar (ose, sipas një rrëfimi tjetër, do të shkojë në xhennet)!”[7]

[1] Në origjinal: ibadet.

[2] Në origjinal: muamelat.

[3] Në origjinal: mufessir, komentues, shpjegues.

[4] Bakara, 2/183. Të gjitha interpretimet nga Kur’ani dhe Suneti në këtë tekst janë përkthime të interpretimeve të vetë origjinalit. Përkthyesi.

[5] Bakara, 2/185.

[6] Buhari, Iman, 1; Muslim, Iman, 20; Tirmidhi, Iman, 3.

[7] Buhari, Iman, 3; Savm, 1; Muslim, Iman, 8, 9; Ebu Davud, Salat, 1; Nesai, Salat, 4.

KOMENTE