English

SPECIALE/ Ramazani, një muaj plot mëshirë

Nga Ali Zaimi

Kancelar i KMSH

Me fillimin e Ramazanit, rinovohen edhe një herë mendimet, frymëzohen ndjenjat, ndërsa mëshira në frekuenca të shumëllojshme shkon e bashkohet ku me ankthin e ku me shpresën, bashkohet e thellohet në shpirt. Po, me ardhjen e tij ngrihen të gjitha pengesat e arritjes për tek Allahu, të gjitha paudhësitë shkatërrohen, majat kthehen në fusha, fushat në lëndina lulesh.

Për shpirtrat që ndiejnë përherë etjen për mëshirë, Ramazani është si shiu që mbërrin në zemër të tokës, vadit gjithë qenien, nga koka tek këmbët, ujit ndërgjegjet që kanë filluar të thahen, zbret deri në thellësitë e ndjenjave dhe e kthen vetëdijen njerëzore në një pllajë të gjelbëruar. Aq sa të gjithë këta shpirtra që përjetësohen me ngjyrimin e minutave të kësaj pjese të bekuar të kohës zgjohen ndaj thellësive të magjishme të ekzistencës dhe s’duan të ndahen më prej kësaj klime plot hijeshi.

Në këtë mënyrë, këta njerëz të përkohshëm arrijnë në gradën e qenieve të përjetshme, ndërsa çdo sjellje e tyre e programuar sipas shpirtit të tyre të adhurimit, arrin vlera ceremonish parajsore.

Gati çdo natë në Ramazan është shumë më e thellë se netët e tjera dhe me dimensione të përtejme; ndërsa ditët me atë maturinë dhe ngjyrat goditëse ndjehen si një atmosferë sinjifikuese e vullnetit dhe durimit.

Shpirtrat e agjërueshëm, sikur përgatiten çdo natë për një takim të ri, të emocionuar deri në ngazëllim, të sjellshëm në masë dhe të edukuar deri në habi, trokasin në dyert e mëshirës dhe shpresës. Në fytyrat e tyre shfaqen njëherësh modestia me seriozitetin, siguria me brengën, sundon të qenit që e mënjanon bindshëm të dukurit. Zemrat u rrahin me dashuri, para së gjithash për të Dashurin e vetëm të zemrës së tyre, e më pas, po për hir të Tij, për çka ai ka krijuar.

Sytë plot magji e të mbështeturve me gjithë zemër tek Allahu, pasqyrojnë një sërë thellësish prej së përtejmes dhe gati të gjithë këta sy shkëlqejnë me dritën e një bote të panjohur.

Kush të dojë, edhe në Ramazan madje, le të ulet e të ngrihet me smirë e urrejtje, kush të dojë të turbullohet përballë të vërtetave të besimit dhe Islamit, kush të dojë le të mallkojë dritën, kush të dojë t’i shpallë luftë mirënjohjes, tolerancës; ndërsa neve Ramazani, me gjithë dritën dhe forcën magjepsëse që zotëron, na pëshpërit me zërin shpresëdhënës pasuritë tona shpirtërore, traditën tonë të hershme; na pëshpërit dhe shpirtrat tanë të uritur i ngop me sofrat të begata, ndërsa përballë shpirtrave të errët, qëndron i hapur, dhe duke i shkrirë urrejtjet e armiqësitë vazhdon të na freskojë me flladin e Xhenetit.

Mbarë myslimanët, të rinj e të vjetër, gra e burra, të pasur e të varfër, të shëndetshëm e të sëmurë, drejtues e të drejtuar, nëpunës e tregtarë, vijnë e bashkohen në klimën zbutëse, formuese e të magjishme të Ramazanit… e me një përzemërsi, pastërti, ngrohtësi ndajnë së bashku një lumturi që vetëm krijesat qiellore e njohin. Madje, në të shumtën e rasteve, ai ka një ndikim të pabesueshëm edhe mbi masat e njerëzve që duken të paaftë, të mjerë e të shkretë. Është e pamundur të mbetesh indiferent përballë Ramazanit që përfshin çdo gjë!

Ramazani, sidomos zemrat e hapura ndaj pafundësisë i magjeps aq shumë, i ndikon aq thellë saqë vetëm atë dëgjojnë, atë mendojnë dhe atë ëndërrojnë!

Për të vëmendshmit e këtij muaji, iftaret përmbushen me ndjenjën e adhurimit dhe thuajse bashkëngjiten me teravitë; syfyret ndërthuren me namazin e natës dhe marrin pjesë prej afrimit me Mëshirëplotin. Rrugët mbushen me udhëtarët e xhamive, faltoret oshtijnë si Qabja me tekbirë; rrugët, pazaret sikur kthehen në faltore; dhe faltorja vete e shndërrohet në Qabe.

Çdo zë, çdo lëvizje, çdo hap dhe çdo veprimtari në këtë muaj, na kujton Ramazanin në mënyrën e vet. Ndërsa ne mundohemi ta përjetojmë atë thellë në gjoksin tonë, ai, me momentet më të zjarrta na dhuron dashuri, përkushtim dhe emocion… duke i ofruar shpresë e vullnet etjes së zemrës sonë, ai i rikthen gëzimin syve të përlotur dhe buzëqeshjen fytyrave të brengosura.

Prandaj, ne nuk duam aspak që Ramazani të largohet; ne nuk duam por, sikurse çdo gjë që vjen duhet të ikë kur t’i vijë koha, edhe ai, si një i ftuar gëzimsjellës vjen e pasi qëndron njëfarë kohe largohet…dhe pas tij, vjen Bajrami si kurorëzuesi i vetëm i gjithë pasurive të këtij muaji magjepsës…

KOMENTE