Nga M.A. Agim Tereziu
Myfti i Krujës
Ashtu si te adhurimet e tjera, edhe te agjërimi, janë bërë përgjegjës për të agjëruar personat që kanë zotëruar kriteret e kërkuara tek ta. Këto mund t’i radhisim:
1) Personi duhet të jetë mysliman. Që dikush ta ketë detyrim (farz) agjërimin, duhet ta ketë pranuar Islamin, domethënë duhet të jetë mysliman. Personat që nuk janë myslimanë nuk mund të detyrohen të agjërojnë.
2) Personi duhet të ketë mbushur moshën e pubertetit dhe të ketë zhvillim mendor normal. Që dikush të jetë i detyruar për të kryer adhurimet që përmban Islami, duhet të plotësojë edhe këto dy kushte si më sipër: Të ketë arritur moshën e pubertetit dhe në të njëjtën kohë, të ketë zhvillim mendor normal. Në Islam, personat që nuk e kanë mbushur ende moshën e pubertetit, nuk konsiderohen fetarisht përgjegjës për të kryer adhurime të caktuara. Konkretisht, fëmijët dhe personat me të meta mendore janë përjashtuar nga detyrimi i agjërimit. Këtë specifikë i dërguari i Allahut (s.a.s.) e ka bërë të ditur me këto fjalë: “Përgjegjësia është hequr nga tre vetë: Nga fëmija që s’ka arritur ende moshën e pjekurisë seksuale (adoleshencës), nga i sëmuri mendor gjersa të shërohet dhe nga personi që fle gjersa të zgjohet!” (Buhari, Hudud, 22; Ebu Davud, Hudud, 17; Tirmidhi, Hudud, 1; Ibni Maxhe, Talak, 15; Ahmed b. Hanbel, Musned, 6/100, 101, 144).
3) Personi duhet të jetë i shëndetshëm për të agjëruar dhe duhet të jetë vendas. Që dikush ta ketë për detyrë (farz) agjërimin, duhet të jetë fizikisht i shëndoshë (të mos ketë të meta trupore që e bëjnë të paaftë për të agjëruar), duhet të jetë klinikisht i shëndoshë, pra të mos jetë i sëmurë dhe të jetë vendas, pra jo në udhëtim. Ndërkaq, po qe se këta persona, megjithëkëtë agjërojnë, agjërimi i tyre është i vlefshëm. Por po qe se e përdorin lejen që u është dhënë dhe nuk agjërojnë, ditët e paagjëruara i zëvendësojnë në një kohë më pas.
Kush nuk agjëron
1. Udhëtari.Në një situatë të tillë, për shkak të vështirësive të udhëtimit, njeriu mund ta ketë të vështirë për të mbajtur agjërim. Për këtë arsye Kur’ani, myslimanët në gjendje udhëtimi i ka lejuar të mos agjërojnë. Ai që nuk ka mundur të agjërojë duke qenë në udhëtim, ditët e paagjëruara i agjëron si kaza më pas. Por ata që dëshirojnë, mund të agjërojnë edhe kur ndodhen në udhëtim.
2. Sëmundja.Krijuesi i Lartë u ka dhënë leje edhe personave të sëmurë që nuk mund të agjërojnë, i ka përjashtuar ata nga përgjegjësia e agjërimit. Këta, pasi të shërohen, agjërimet e pambajtura i mbajnë kaza. Kurse të sëmurët me sëmundje të rënda, me ecuri të gjatë ose të pashërueshme, të cilët nuk mund të agjërojnë, duhet të japin shpërblim (fidje). Kur’ani urdhëron e thotë:
“Agjërimi përbëhet prej ditësh të caktuara (të numëruara). Kush nga ju është i sëmurë ose udhëtar gjatë atyre ditëve, ditët e paagjëruara i agjëron më pas. Ata që nuk agjërojnë dot, duhet të paguajnë shpërblim (fidje). Fidja është masa (monetare ose ushqimore) sa për të ushqyer një të varfër. Kush e rrit masën e fidjes për të bërë mirësi, sigurisht e ka për dobi të vet. Megjithëkëtë, po ta dini të vërtetën, mbajtja e agjërimit është më e mbarë për ju!” ( Bekare, 184)
3. Pleqëria.Islami u ka dhënë leje për të mos agjëruar personave me pleqëri të rënduar, që nuk mund të agjërojnë me kusht që për çdo ditë të paagjëruar të ushqejnë një të varfër.
4. Gratë me arsye.Gratë me të përmuajshmet, lehona, shtatzëna ose në periudhën e laktacionit (me fëmijë në gji), me qëllim që të mos dëmtohen vetë si dhe fëmijët e tyre, përfitojnë nga leja për të mos agjëruar. Ato i agjërojnë më vonë kaza ditët e paagjëruara (Ibni Maxhe, Sijam, 3; Nesai, Sijam, 50-51, 62).
5. Uria dhe etja e thellë.Po qe se personi që agjëron përballet me një etje ose uri të rëndë dhe po qe se frikësohet se mos agjërimi do t’ia prekë në përmasa serioze shëndetin trupor dhe psikik, ose po qe se mjeku i jep raport për të mos agjëruar, ky person përjashtohet nga detyrimi i agjërimit në këto kushte dhe, pasi të fitojë shëndet të plotë, e plotëson këtë adhurim duke i zëvendësuar ditët e paagjëruara.
Çfarë e prish agjërimin
Në këndvështrim të përgjithshëm agjërimin e prishin:
Marrëdhëniet seksuale mes burrit dhe gruas nga agimi deri në perëndimin e diellit. Ngënia, pirja apo përdorimi i ilaçeve Pirja e duhanit, thithja e thellë e tymrave, avujve etj. Përtypja e çamçakëzit Hyrja në trup e diçkaje nga goja, hunda, veshi etj. Dalja e gjakut nga goja dhe gëlltitja e tij, etj.
Abdullahu, djali i Abazit, ka treguar se profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Prishja e agjërimit vjen nga ato sende që hyjnë në trup e jo nga ato që dalin prej tij” (Buhari, Tirmidhi).
Si për çdo adhurim, edhe për agjërimin e muajit të Ramazanit që mbahet një herë në vit, ka një sërë rregullash që duhen respektuar. Këto rregulla kanë të bëjnë me tri lloje situatash në të cilat gjendet personi që agjëron:
1) Situatat që e prishin agjërimin, por kërkojnë vetëm (kazanë), zëvendësimin e tij. Këto situata ndodhin kur agjëruesi padashje me shkujdesjen e tij, ose duke gabuar pa qëllim, e prish agjërimin. Në këto lloj rastesh, personi vetëm atë ditë e kompenson pas muajit të Ramazanit.
2) Situatat që e prishin agjërimin dhe kërkojnë edhe kazanë, edhe (kefaret) kundërshpërblimin e tij. Kjo ndodh kur agjëruesi e prish agjërimin pa arsyet e caktuara, me qëllim dhe vetëdije të plotë. Ai që e prish me dashje agjërimin e Ramazanit, duhet të agjërojë ditën ose ditët që ka prishur, si dhe gjashtëdhjetë ditë radhazi pa ndërprerje si ndëshkim. Në pamundësi për këtë duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër.
3) Situatat që nuk e prishin agjërimin kur ndodhin në harresë. Kur agjëruesi në harresë e sipër e prish agjërimin, prej tij nuk kërkohet gjë tjetër veç të vazhdojë agjërimin. Një herë erdhi një sahabe te Profeti (a.s.) dhe i tha: O i dërguari i Zotit! Kam harruar se jam me agjërim dhe kam ngrënë e kam pirë. Profeti (a.s.) i tha: “Vazhdo në agjërimin tënd, Zoti (xh.sh.) ta ka dhuruar atë ngrënie e pirje” (Buhari).