Nga Agron Tufa
Për shumë arsye që dihen prej gjithkujt – arsye të djeshme, të sotme e, sidomos, të nesërme – Tirana duhet të jetë (e në qoftë se deri tani nuk ka qenë, ndonëse është ëndërruar, duhet të shndërrohet) kryeqendra gravitacionale e të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Në mos përgjithmonë, të paktën për njëfarë kohe, për disa dekada, për aq kohë sa çështje etnike gjithëshqiptare (bota jonë, interesat tona kombëtare), të ketë krijuar kozmosin e vet të organizuar. Tirana duhet të jetë përgjigjja e pyetjeve të ngritura prej kohësh prej pjesëve e trevave tona etnike, deri në përmbushjen e dëshirës, vullnetit dhe idealit nacional të një jete të përbashkët ku të grumbullohet forca rrezatuese e energjisë shqiptare të shkapërderdhur në disa shtete ballkanike. Tirana duhej dhe duhet të jetë bërthama e kësaj energjie. Ne e dimë se kjo dëshpërimisht nuk ka ndodhur, pavarësisht shkaqeve. Ne e dimë se përpjekje nuk ka pasur dhe se një mentalitet i tillë ka munguar, ndonëse asnjë qytet tjetër në gjeopolitikën dhe gjeostrategjinë tonë kombëtare nuk ka qenë më i përshtatshëm se Tirana. Si kryevend i botës shqiptare, Tiranës i ka takuar dhe i takon roli i përthithjes, shpërndarjes dhe qarkullimit të energjive shpirtërore, ekonomike, politike e kulturore të mbi 7 milionë shqiptarëve që jetojnë sot në Ballkan, me një vijimësi koherente e kompakte territoriale. Nuk ka menduar kush asnjëherë. Nuk e kanë parë kurrë Tiranën me syrin e një misioni të tillë. E kam fjalën për qeveritë që ndërtojnë strategji dhe perspektiva, për politikat që marrin vendime dhe mishërojnë idetë, jo për njerëz si unë, që propozojnë ëndrra pragmatike. Tani që Tirana fillon një jetë të re në një qeverisje tjetër, me një mentalitet tjetër, me sfida të tjera; tani që Tirana e trashëguar zorrëjashtë me sheshe të prishura, trafik të rënduar, rrugë të ngushta, çerdhe, kopshte e shkolla të tejmbushura, me turne të papërballueshme; tani që Tirana e xhungëlzuar me beton e hekur, pallate të përbindshme, pluhur, ndotje higjienike e ferr zhurmash acaruese; tani që Tirana përpëlitet mes çmimeve mizore të tregut të përditshëm, faturave absurde të elektrikut e telefonisë, taksave çnjerëzore nga bizneset e mëdha deri tek kioskat mikroskopike; tani që Tirana paraqet një piramidë të vërtetë në arsimin e lartë privat universitar me një stuhi fiktive diplomash e masterash, a thua se janë fletë rrushi a lakre në pazar dhe fundërron në një letargji lënguese kulturore, me institucione memece dhe politika inekzistente për iniciativa kulturore private; tani që Tirana kundrohet si shesh teatri për mësymjen e manifestimeve, demonstratave dhe revoltave – një Kostandinopojë për protagonizma kryqtarësh dhe së mbrami, tani që Tirana si Bashki ka trashëguar një arkë krejtësisht të boshatisur financiare, si ç’është bërë normë kjo plojë në momentin e ndërrimit të pushteteve – tani mund të themi me siguri se Tirana njëmilionëshe nuk është kryeqendra shpresëdhënëse e shqiptarëve, por kryeqendra e stresit të botës shqiptare! Ribërja, rikonceptimi, rimodelimi i kryeqytetit shqiptar dhe të të gjithë shqiptarëve, kërkon, përpos përballimit të këtyre problemeve (për të cilat gjysma e kryeqytetasve e bënë zgjedhjen e tyre), një qasje plot kujdes, largpamësi e dhembshuri. Duhet pasur dhembshuri për Tiranën, duhet pasur dashuri, duhet pasur dëshirë, ëndrra dhe këmbën gulje. Duhet pasur guxim dhe besim. Sidomos besim! Sido që të jetë puna, Tirana e ka zgjedhur një dorëzanë, ndaj para se ta paragjykojmë Lulzim Bashën, duhet t’i besojmë, t’i ofrojmë idetë tona të artikuluara me qytetari, të buruar nga dëshira e sinqertë për ndryshim, pa mllef, pa ligësinë që dikton tifozllëku i bindjeve partiake. Sepse pa besim, pa besimin tonë, pa besimin edhe të kundërshtarëve të Lulzim Bashës, pa besimin në përgjithësi, nuk shkohet larg… Unë kurrë nuk kam menduar, pavarësisht shtjellës së verbër të acarimeve politike, se bota shqiptare nuk është aq e prerë me thikë – në socialistë e demokratë – të atillë, që të mos çojnë gjë tjetër nëpër mend, veçse t’i hanë kokën njëri-tjetrit! Pavarësisht ndarjeve, interesi i palëve është i njëjtë: përditshmëria jonë nga mëngjesi në darkë duhet të ketë tjetër cilësi. Njeriu duhet kthyer në ritmin e vet progresiv, në realizimin e qëllimeve vetjake e familjare, në shijimin e fryteve të përpjekjeve vetjake e të përbashkëta, pa iu shmangur thelbit të dëshirave dhe ëndrrave të tij. Nuk është e pamundur, ndonëse duket e vështirë. Por, nëse tërë energjitë tona do të firasin përjetësisht në përballimin e të njëjtave probleme, barriera e strese, nëse sërish do të përballemi me absurditetin e një administrate të mefshtë e arrogante, nëse prapë do të përftohet ajo ndjenjë e hidhur e pa rrugëdalje – kontradikta e thellë midis taksapaguesit dhe pandershmërisë së shërbimeve, ku gjithmonë i dhunuar, i fyer e i poshtëruar është qytetari, ndërsa pala e shërbimeve vazhdon të terrorizojë pa u ndëshkuar dhe mjetet tona legjitime për drejtësi shpërfillen – atëherë po, me njëmend kemi arsye, madje të fortë, për humbjen e besimit, për zhgënjim. Atëherë po, është e drejta jonë të protestojmë e të revoltohemi e më në fund, të refuzojmë atë administratë që e kemi zgjedhur dhe e mbështesim të gjithë, votues e jovotues, me taksat tona. Tirana, ashtu siç e trashëgon sot kryebashkiaku i ri, Lulzim Basha, madje edhe jashtë premtimeve të tij elektorale, duhet të ndryshojë dhe se ky ndryshim të jetë bindëse, për të fituar ngjalljen e një besimi të ri e të munguar më parë, e mandej për të fituar përkushtimin dhe mbështetjen tonë. Nuk janë ëndrra të bukura, nuk janë utopi, nuk janë pritshmëri naive këto; përkundrazi, janë thelbi i një transformimi që e presim të gjithë, janë abc-ja e menaxhimit dhe mirëfunksionimit rigoroz të pushtetit, ku secili kryen me ndërgjegje detyrën e tij, si kontratë e pushtetit me banorët taksapagues. Por, Tirana e re duhet të dëshmojë shumë më tepër se kaq. Shumë më tepër se skrupuloziteti i funksionit teknicist të pushtetit. Tirana duhet të përmbushë rolin e munguar të një kryeqendre panshqiptare, në radhë të parë kulturore, ekonomike, e mandej edhe politike, si imazhi përfaqësues i gjithë botës shqiptare në Ballkan, dhe kjo ka të njëjtën rëndësi, në mos më shumë, sesa transformimi futurologjik urbanist i kryeqytetit për të shembur muret ndarëse me kryeqendrat e tjera të botës shqiptare – Prishtina, Tetova, Ulqini etj. Është e natyrshme dhe e vërtetë konkrete, jashtë çdo populizmi, se bota shqiptare e këtyre trevave sheh dhe pret nga Tirana bërthamën rigjeneruese të energjive intelektuale, shkencore e kulturore. Gjatë gjithë këtyre viteve nuk ka ndodhur absolutisht asgjë e këtillë, duke lënë dhimbshëm jashtë vëmendjes një fushë asnjëherë të shfrytëzuar, ndërkaq që modeli i “kioskave televizive” ka qenë madje as i vakët, për të ngjallur një atmosferë e klimë kulturore që i jep madhështi, aurë dhe shtendosje epiqendrës më të madhe shqiptare në Ballkan. Në këtë mënyrë thellohet skepticizmi, përvijohen idetë mbi një “ndarje” dhe dominon logjika dhe mentaliteti i “pashallëqeve” me manipulues e mitomanë lokalë, duke prodhuar kultin e formatit të vockël të “dijetarit”, “artistit”, apo “mendimtarit kombëtar” – një lloj i sharlatanizmit egocentrik në histori. Por, sa është e mundshme ta luajë këtë rol Tirana? A është e mundshme, vallë, që kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, përpos sfidave të ngutshme afatshkurtra, ta marrë përsipër edhe këtë barrë me profil kah e ardhmja? Unë mendoj se themelet e një ideje apo projekti të tillë mund t’i hidhte pikërisht Lulzim Basha. Një njeri që e njeh përgjithësisht e deri diku konkretisht, botën shqiptare në Ballkan. Që ka dhuntitë për të shquar pak më larg e pak më gjerë mbi peshën, rolin dhe efektin e një ndërmarrjeje të tillë. Që intuitivisht ia qëllon, se përqendrimi i energjive shpirtërore e artistike veçse e dinamizojnë, e shkrifërojnë, i japin jetë, ritëm e ngjyrë metropolit më të madh shqiptar, duke fashitur acarimet e duke i dhënë kryeqytetit klasin e munguar modern. Kultura gjithmonë e asnjanëson ambientin acid që gërryen obsesionin e polarizuar politik. Kështu ka qenë gjithmonë dhe dobia ka qenë përherë në përftimin e padiskutueshëm të cilësisë njerëzore në jetën e banorëve. Tirana e ka tani një shans. Pse duhet të ndodhë ndryshe?
Gazeta "Panorama"