Tiranë, 6 gusht, NOA – Presidenti i vendit, Bamir Topi ka zhvilluar sot një takim me Presidentin e Rajonit të Puljas, Nikola (Niki) Vendola dhe autoritet e larta puljeze. Topi ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe ka shprehur mirënjohje për ndihmën e autoriteteve italiane. Ai tha se marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale dhe historike mes dy popujve tanë duke e konsideruar “Italinë si një partner shumë të rëndësishëm strategjik”.
Topi vuri në pah arritjet dhe ndryshimet pozitive të Shqipërisë në drejtim të integrimit evropian, duke vlerësuar edhe ndihmesën e çmuar të Italisë në këto procese, nënvizoi nevojën për intensifikim të mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare-ekonomike në fusha si energjetika, turizmi, bujqësia, etj., duke vënë në dukje kushtet dhe mundësitë shumë të mira që ofron vendi ynë me rritjen e tij ekonomike dhe sistemin e favorshëm fiskal për investime të huaja.
Njëkohësisht Presidenti Topi ripërsëriti ftesën për investitorët italianë që të rrisin akoma edhe më tepër praninë e tyre në Shqipëri.
Nga ana tjetër Presidenti i Rajonit të Puljas, Nikola Vendola pasi vuri në dukje se vizita të tilla të nivelit më të lartë thellojnë e forcojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin dypalësh, theksoi nevojën e rritjes të shkëmbimeve tregtare e ekonomike të partneritetit në fusha të ndryshme si ajo shëndetësore, të energjisë, të bujqësisë, turizmit, shkëmbimeve arsimore, shkencore dhe kulturore.
Prej dy ditësh, kreu i shtetit ndodhet për një vizitë në Itali.
a.k/NOA