Tiranë, 7 gusht 2011, NOA – Alb Konfindustria shpreh shqetësimin mbi përpjekjet e vendimmarrjes politike të Greqisë për ndalimin e dërgimit të të ardhurave dhe kapitaleve të emigrantëve shqiptare në atdhe.
Administratori i Përgjithshëm Gjergj Buxhuku i cilësoi përpjekjet e qeverisë greke si të tilla që bien plotësisht ndesh me parimet kryesore të demokracisë, globalizimit të tregjeve dhe të gjithë marrëveshjeve ndërkombëtare.
Buxhuku deklaron se e vërteta e shkëmbimeve të kapitaleve financiare dhe të ardhurave personale ndërmjet dy vendeve flet për humbje të qartë të Shqipërisë në favor të Greqisë.
Alb Konfindustria vlerëson, se “nëse masa kryesore e të hyrave financiare nga Greqia në drejtim të Shqipërisë përfaqësohen nga remitancat e të punësuarve shqiptare, kjo do të thotë se në drejtim të shtetit fqinj shkojnë shuma të mëdha në formën e dividentit të bizneseve greke në vendin tonë si dhe kapitale financiare me vlerë prej qindra milion euro të përvitshme, që shkojnë në mbulimin e importeve të larta të Shqipërisë”.
Sipas vlerësimeve të përafërta del, që vetëm fitimet e siguruara në Shqipëri dhe të transferuara në drejtim të Greqisë e tejkalojnë ndjeshëm masën e përgjithshme të remitancave të emigrantëve shqiptare, që hyjnë në Shqipëri.
Këto janë norma fitimi të siguruara në tregje strategjike si: telekomunikacionet, sistemi bankar, nafta dhe nënprodhimet e saj, çimento si dhe prodhime të industrisë agroushqimore.
Sipas Buxhukut vetëm në tregun e telekomunikacionit shuma e përgjithshme e fitimeve të kompanive me kapital grek, një pjesë e rëndësishme e të cilave janë të transferuara drejt Greqisë kapin shifrat e 2 miliard euro.
Alb Konfindustria vlerëson, se nëse këtu shtohen edhe sektorët e tjerë të lartpërmendur të ekonomisë atëherë është qartësisht e kuptueshme, se bilanci i përgjithshëm i shkëmbimeve financiare ndërmjet dy vendeve është qartësisht në favor të Greqisë dhe në dëm të Shqipërisë.
“Këtu nuk po vlerësojmë përfitimet e jashtëzakonshme të ekonomisë greke nga importet shumë të larta të Shqipërisë prej dhjetra miliard eurosh në të gjithë kohën prej 20 vitesh. Gjithashtu duhet vlerësuar edhe fakti, se në shumë raste kemi të bëjmë edhe me dalje në shuma të mëdha dhe në mënyrë të paligjshme të parave shqiptare jashtë vendit të siguruara nga evazioni fiskal i kompanive me kapital të huaj përfshi edhe kompani greke, që nuk i janë nënshtruar taksimit duke goditur ashpër qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike dhe ekonominë e Shqipërisë”, theksoi Administratori i Konfindustrisë.
Ky institucion i bën thirrje institucioneve shtetërore, që të marrë të gjitha masat e duhura të marketingut për të bërë të mundur përfshirjen në amnistinë fiskale të të gjithë emigrantëve shqiptarë, që vijnë në atdhe për pushimet e verës, duke shtuar se në këtë drejtim puna e institucioneve përgjegjëse është krejtësisht e pamjaftueshme.
“Duhet të jetë e qartë, se lufta ndërmjet vendeve të rajonit përfshi Greqinë, që në mënyrë të përsëritur ka kryer amnisti fiskale në vitet e fundit do të jetë shumë e ashpër për zotërimin e kapitaleve financiare të emigrantëve shqiptare”, përfundon deklaratën e tij Administratori Buxhuku.
mit/NOA