English

Babai i “Kumbarit” Francis Ford Coppola do vijë në Durrës


Francis Ford CoppolaE diel, 7 gusht 2011, NOA – Francis Ford Coppola, babai i filmit “Kumbari”, një nga filmat më të mëdhenj në historinë e kinemasë botërore do të vijë në Shqipëri.

Regjisori i Kumbarit i frymëzuar nga libri i Mario Puzos, mbërrin në Shqipëri si i ftuari special i edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Durrësit.

Regjisori, skenaristi e producenti inovator në kinemanë hollivudiane do të jetë i pranishëm në projeksionin e filmave të tij, si dhe do të rrëfejë mbi artin e tij të kinemasë.

Drejtoresha e festivalit Anila Varfi thotë se 72-vjeçari Coppola do të flasë për adhuruesit e filmave të tij përgjatë një ore në 1 shtator, në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Zonja Varfi bën me dije se janë përzgjedhur për t’u projektuar në skenën e festivalit dy filma të realizuar vitet e fundit nga Coppola, “Tetro” një film autobiografik mbi kujtimet dhe emocionet e rinisë dhe “Youth without youth”(Rini pa rini), një meditim mbi identitetin njerëzor, natyrën e kronologjisë dhe gjuhën.

Pas shumë Oskarëve, Regjisori i Kumbarit do të nderohet edhe në Durrës me një trofe, atë “Gladiatori i Artë” që i atribuohet arritjeve të tij në karrierë.

Por, Coppola nuk është i vetmi Yll i kinemasë botërore që zbret në qytetin turistik të Durrësit, pasi në mjediset e festivalit do të zbarkojnë edhe aktori serb Rade Serbedlija, aktorja italiane, Claudia Cardinale, çeku Jiri Menzel, si dhe ylli italian i momentit Gabriel Garko.

Përveç këtyre, një tjetër i ftuar i festivalit është ish-presidenti çek Vaclav Havel.

Emrat e njohur të kinemasë do të zbarkojnë në qytetin bregdetar të Durrësit në datat 27 gusht deri në 2 shtator.

Në këtë festival do të projektohen filma të shkurtër, dy filma të përzgjedhur në kategorinë speciale, filma të hershëm, filma të angazhuar, si dhe dokumentarë mbi çështjet e mjedisit.

Ndërkohë premierë do të shfaqet edhe dokumentari i Al Gorit.

Konkurruesit në festivalin njëjavor do të garojnë për trofeun “Gladiatori i Artë”, apo edhe çmimet për ‘Regjisorin më të Mirë’, ‘Aktorin më të mirë’, ‘Aktoren më të mirë’, ‘Filmin më të mirë Ballkanik’, si dhe çmimin e ‘Publikut’ dhe atë të ‘Kritikës’.

mit/NOA

KOMENTE