Himarë, 7 gusht 2011, NOA – Vendosja në Himarë e bustit të Aristotel Gumës, himarjotit që u shkel barbarisht me makinë nga i riu vlonjat Ilir Muka një vit më parë është cilësuar nga Aleanca Kuq e Zi si provokacion i hapur ndaj shqiptarëve.
Aleanca, që kundërshton regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare si antikushtetuese akuzon se vendosja e bustit të 37-vjeçarit Guma me flamurin grek është një veprim arbitrar i organizatës Omonia.
Aleanca Kuq e Zi e cilëson aktin e ndërmarrë nga Omonia, si provokacionin e radhës në emër të kujtimit të të vdekurve.
Duke iu referuar edhe debateve më të fundit mbi regjistrimin e popullsisë AK akuzon edhe PBDNJ-në e Vangjel Dules se po i bën sfidë të hapur shtetit dhe ligjit shqiptar.
Sipas AK-së grekët po luajnë rëndë me durimin e shqiptarëve, duke i bërë thirrje institucioneve shtetërore t’i japin fund kësaj padrejtësie.
Mëngjesin e sotëm familjarët dhe të afërmit e Aristotel Gumës përkujtuan në varreza dhe në kishën e fshatit njëvjetorin e vrasjes së të dashurit të tyre, i cili humbi jetën për shkak të një aksidenti të qëllimshëm të shkaktuar mbrëmjen e 7 gushtit në buzërrugën që lidh Himarën me fshatin.
Aksidenti vrastar që i mori jetën Aristotel Gumës përshkallëzoi protestën e himariotëve dhe familjarëve të tij që zaptuan rrugët përdrejt jugut të vendit nga Vlora deri në Sarandë.
Ajo që mbeti në veshët e kujtdo asokohe ishte se Aristotel Guma u vra se e ndiente veten grek dhe se mendonte se ‘Himara është Greqi’.
Kjo ide sipas disa dëshmitarëve solli irritimin e disa të rinjve, njëri prej të cilëve provokoi aksidentin pa menduar gjatë se me lojën e rrezikshme me makinë do t’i merrte jetën të riut nga Himara, që po kthehej në shtëpi me motoçikletën e tij, mbrëmjen e 7 gushtit të vitit të shkuar.
mit/NOA