E diel, 7 gusht 2011, NOA - Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, dënon provokimin e disa qarqeve për ngritjen e bustit të himarjotit Aristotel Guma në Himarë.
PDIU, partia që mbron të drejtat e çamëve kërkon që të mos manipulohet me viktimat dhe të respektohet kujtimi i të ndjerit Guma.
“Në këndvështrimin tonë ky është një akt manipulativ që tenton të manipulojë negativisht ndjenjat e minoritetit dhe të shqiptarëve”, thuhet në reagimin e PDIU-së.
Sipas kësaj partie ky provokim nuk i shërben bashkëekzistencës së një vendi europian.
PDIU e cilësoi veprim të paligjshëm dhe sfidues, pasi sikundër bën me dije, Këshilli Bashkiak i Himarës e ka refuzuar ngritjen e një busti të tillë.
PDIU i bëri thirrje shtetit shqiptar që të veprojë për të dekurajuar ata që duan të kthejnë një fatkeqësi që hetohet nga drejtësia në një akt atavist e shovinist e që nxit tensione të panevojshme në mes të sezonit turistik.
Himarjoti Aristotel Guma u vra në një aksident të qëllimshëm 7 gushtin e vitit të shkuar, një ngjarje që irritoi ndjeshëm protestën e minoritetit grek dhe himarjotëve që pushtuan rrugët e jugut të vendit.
mit/NOA