Tiranë, 7 gusht 2011, NOA/Irma Toptani – Ajo flet vetëm anglisht pasi nuk di asnjë fjalë shqip, por ka mbërritur në Tiranë për një dokumentar ku do të promovojë Shqipërinë turistike në botë.
Eliza Dushku, në ditën e dytë të vizitës në Tiranë ishte sot mysafirja e nderit e Bashkisë së Tiranës.
Ajo u prit në godinën e bashkisë nga kryebashkiaku Lulzim Basha, i cili i dhuroi një miniaturë të Kullës së Sahatit si shenjën simbol të kryeqytetit shqiptar.
Kjo është edhe shenja e parë faktike e ndryshimit në bashkinë e Tiranës, pasi kryebashkiaku Lulzim Basha nuk dhuroi si simbol të Tiranës, Çelësin që dhuronte ish-kryebashkiaku socialist Edi Rama, por Kullën e Sahatit, që duket se do të jetë simboli i ri që do t’u dhurohet miqve dhe mysafirëve të veçantë të bashkisë së kryeqytetit nga kryetari Basha.
Në këtë kuptim mysafirët e Tiranës duket se do të mjaftohen vetëm duke parë Kullën e Sahatit pa mundur të hapin vetë qoftë edhe simbolikisht këndej e tutje dyert e Tiranës...
Tashmë nuk dihet se ç’do të bëhet me tërë ata çelësa simbol të Tiranës të porositur nga ish-kreu socialist Rama në pritje për t’iu dhuruar miqve të veçantë, ndërkohë që për ta është harxhuar një fond i veçantë që e thënë në gjuhën popullore do të ishte gjynah të shkonte dëm.
Tani duket se porositë për Çelësa do të shndërrohen në porosi për Kulla Sahati, pasi mysafirët e nderuar të bashkisë së Tiranës do të jenë të shumtë edhe për faktin se projektet e kryebashkiakut të Tiranës duan të shënojnë të ardhmen europiane të kryeqytetit, si destinacioni më tërheqës turistik.
Kryebashkiaku Lulzim Basha përveç Kullës së Sahatit si simbol të Tiranës i bëri edhe një dhuratë tjetër shqiptaro-amerikanes Eliza Dushku.
Ai e propozoi si “Qytetare Nderi e Tiranës” dhe “Ambasadore Nderi e Tiranës në botë”, një titull për të cilin shqiptaro-amerikania e Hollivudit u ndje e lumtur dhe e privilegjuar.
“Jam e nderuar dhe e privilegjuar”. Ishin këto fjalët që Eliza Dushku artikuloi në anglisht pas pritjes nga Kryetari i Bashkisë, të cilit iu drejtua vetëm me një fjalë shqip, “Përshëndetje”.
Propozimi për shpalljen e Eliza Dushkut “Ambasadore Nderi e Tiranës në botë” është paksa i pakuptimtë, pasi tagrin për shpallje ‘ambasadorësh nderi’ në Shqipëri e ka Ministria e Punëve të Jashtme.
Aktorja e njohur rishtas shprehu befasimin e saj nga mikpritja, duke u shprehur thjesht se njerëzit në Tiranë janë shumë të mirë, madje edhe të bukur.
31-vjeçarja nuk e fshehu projektin e saj për mediat duke deklaruar se Shqipëria është vend turistik, dhe se projektin për të promovuar Shqipërinë turistike në botë ajo do ta nisë nga qyteti i bukur i Korçës, përmes një dokumentari.
Por, mosnjohja e gjuhës shqip nga vetë aktorja shqiptaro-amerikane e lindur në SHBA, e bën të vështirë perceptimin publik të promovimit turistik të Shqipërisë nga ajo vetë.
Pasi gjuha është edhe i pari burim i mirëfilltë që promovon bukurinë dhe vlerat e një vendi.
Eliza Dushku vjen në Shqipëri për të bërë një dokumentar mbi rrënjët e saj shqiptare, me një ekip televiziv amerikan si dhe me agjencinë Lonely Planet, e cila e renditi Shqipërinë si destinacionin numër 1 në botë.
Këtë fakt ajo e ripërsëriti për mediat me shumë dëshirë duke shprehur edhe dashurinë dhe kërshërinë e qëndrimit 10 ditor në Shqipëri, ku do të vizitojë disa qytete të vendit.
Por, shumë kolegë të saj janë shprehur se aktorja Eliza Dushku e ka ndërmarrë këtë tur promovues të Shqipërisë turistike për të grumbulluar sa më shumë mbështetje me synimin për të ringritur karrierën e saj në kinema, e cila nuk ka shënuar ndonjë rol prej disa kohësh.
31-vjeçarja Eliza Dushku u shpreh e befasuar nga energjia që pa në Tiranë, madje kërkoi të dijë më shumë për planet dhe projektet e bashkisë për zhvillimin e kryeqytetit.
Kryebashkiaku Lulzim Basha e informoi aktoren për programin që ai ka për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë për të gjithë, me planet për përmirësimin e cilësisë së jetës, për krijimin e hapësirave të gjelbërta, ndërtimin e më shumë shkollave, si dhe për përpjekjet për ta bërë Tiranën një destinacionin tërheqës për turizmin dhe biznesin.
E për ta përballur me ndryshimet e kryeqytetit, kryebashkiaku Basha e shoqëroi Eliza Dushkun pranë Kullës së Sahatit, ku aktorja pa nga afër muzeun e orëve dhe monumentin par exelence të Tiranës, Kullën e Sahatit të restauruar vitin e shkuar.
Më pas kryebashkiaku e ftoi Elizën të shëtitnin bashkë Bulevardin e Tiranës, dhe të vetmen rrugë pedonale të kryeqytetit, atë “Murat Toptani”.
31-vjeçarja Eliza Dushku në misionin e saj promovues të turizmit shqiptar do të shoqërohet edhe nga sopranoja shqiptare Inva Mula, fotografi Fadil Berisha si dhe aktori me origjinë kosovare Blerim Destani.
mit/NOA