English

Hoxhaj: Tadiç nxitësi i dhunës në veri

Prishtinë, 7 gusht 2011, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj akuzon drejtpërdrejt Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç si nxitësin e dhunës në veri.

Kryediplomati i Kosovës në një intervistë për të përditshmen zvicerane, Neue Zürcher Zeitung (NZZ) deklaroi hapur se Serbia po përkrah dhe pajis me program politike strukturat kriminale në veri, citon Koha Ditore në Kosovë.

“Presidenti i Serbisë Tadiç, ministrat e Qeverisë serbe kanë nxitur dhunë në veri. Zhvillimet e fundit dramatike janë organizuar dhe financuar nga Qeveria në Serbi”, theksoi Hoxhaj.

Ai akuzoi kryenegociatorin serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç se hyn ilegalisht në Kosovë dhe mban fjalime që të kujtojnë luftërat e viteve ‘90-të.

“Serbia ende nuk ka arritur të përpunojë të kaluarën”, iu përgjigj Hoxhaj, pyetjes së gazetarit zviceran Christoph Plate.

Ai shtoi se Republika dhe populli i Kosovës dëshirojnë siguri, stabilitet dhe paqe.

“Ne do të respektojmë Kushtetutën dhe marrëveshjen mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe KFOR-it. Ne do t'i respektojmë të drejtat e serbëve, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që Serbia të përzihet në punët tona”, paralajmëroi shefi i diplomacisë kosovare.

Duke folur për veriun, ministri Hoxhaj bëri me dije se në veri janë instaluar struktura kriminale, që mbështeten fuqishëm nga Beogradi.

“Atje mbi të gjitha ka krim dhe kriminelë të organizuar, të cilët kontrollojnë kontrabandën dhe mjete të tjera të krimit. Ata janë shumë të interesuar të jetojnë në një hapësirë të lirë, ku nuk funksionon ligji, ndërkohë Beogradi po përkujdeset që t'i marrë në mbrojtje”, nënvizoi ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

KD/NOA

KOMENTE