English

Londra dhe Berlini: Të gjendet zgjidhje që i njeh kufijtë e Kosovës

Britania dhe Gjermania i kanë tërhequr vërejtjen Serbisë dhe Kosovës, se i dëmtojnë shanset e tyre për integrim në Bashkimin Evropian, nëse lejojnë vazhdimin e tensioneve etnike përgjatë kufirit të tyre.

Në një deklaratë të përbashkët, që do të botohet nesër në të përditshmen gjermane, Franfurter Allgemajne Cajtung, ministri i jashtëm gjerman, Guido Vestervelle dhe kolegu i tij britanik, Uilijem Hejg, kanë kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi ta përfundojnë krizën e kufirit.

Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë zgjidhje diplomatike që “i njeh kufijtë e Kosovës, e përmirëson jetën e secilit dhe të dy shtetet i vë në rrugë të anëtarësimit në BE”, thanë të dy ministrat, për të shtuar se “nëse ata nuk e bëjnë këtë, ato do ta humbin rastin historik”.

Ndërkohë dhe pse e diel, zhvillimet politike dhe komentet nuk kanë munguar lidhur me këtë çështje duke mos shmangur dhe religjionet. Kreu i Kishës Ortodokse serbe, Patriarku Irinej është shprehur kundër ndarjes së Kosovës.

Në një intervistë që është publikuar sot, Irinej tha se “duhet bërë përpjekje të mëdha për të siguruar që Kosova në tersin e saj të jetë pjesë e Serbisë”, tha ai.

Sipas tij “në veri serbët po luftojnë për një formë të pavarësisë por, kjo është një pjesë e vogël simbolike e Kosovës.

Sakaq, Lideri i opozitës në Kosovë, Isa Mustafa, njëherësh kryetar i Komunës së Prishtinës, ka kërkuar sot respektim të marrëveshjes së arritur me KFOR-in për situatën në veri të Kosovës. “Secila marrëveshje që çon në shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës duhet të respektohet”, tha zoti Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokartike të Kosovës.

Ai ka thënë se qeveria e Kosovës, me ngjarjet pas ndërhyrjes së policisë së Kosovës në pikat 1 dhe 31, është ballafaquar me njërën nga sfidat më të vështira deri më tash.

“Ajo që ne insistojmë si Lidhje Demokratike është që të mos lëshohet pe, që qeveria të aftësojë të gjitha organet e saj, që të rezistojë dhe me ngulm të punojë që masat, të cilat kanë filluar më 25 korrik të muajit të kaluar, të realizohen me sukses”, tha zoti Mustafa.

Kryetari i Komunës së Prishtinës me këtë rast tha se do të propozoj që një rrugë e Prishtinës të emërohet me emrin e policit të vrarë më 25 korrik në veri, Enver Zymberi.

Më herët sot, mediat serbe raportuan se përfaqësuesit e serbëve të veriu të Kosovës do të takohen mbrëmjen e së dielës, në Beograd me kryetarin e Serbisë, Boris Tadiq. Siç raportojnë mediat, në Beograd do të udhëtojnë kryetarët e të katër komunave, kryetarët e kuvendeve të këtyre komunave si dhe kreu i të ashtuquajturit Qarkut.

Ndërsa temë e bisedimeve thuhet se do të jetë marrëveshja e arritur me KFOR-in dhe gjendja në veri, raporton radio Evropa e Lirë.

Serbët nga veriu i Kosovës mendojnë se 10 pikët e ofruara me marrëveshje nuk janë zgjidhja më e mirë, por edhe nuk dëshirojnë që të kundërshtojnë marrëveshjen prapa së cilës qëndron Beogradi zyrtar.

KOMENTE