Tiranë, 7 gusht 2011, NOA - Ish-kreu i shtetit, Rexhep Meidani, në një intervistë për “Panoramën”, shprehet se Edi Rama, pas humbjes së zgjedhjeve në 2009- n, nuk duhet të rikandidonte për kreun e PS. Duke folur për gabimet e fushatës, Meidani e sheh rikandidimin e Ramës për mandatin e katërt, por dhe aleancat e dobëta, si disa nga shkaqet e humbjes së PS në Tiranë.
Zoti Meidani, në zgjedhjet e 8 majit në Tiranë, PS humbi Bashkinë dhe disa minibashki, duke e përmbysur raportin nga 9 me 2 për opozitën në krye të minibashkive, në 7 me 4 për maxhorancën. Ky rezultat, mendoni se vjen për shkak të rikandidimit të Edi Ramës për mandatin e katërt të tij, për shkak të një koalicioni më të dobët se ai i PD-së, apo të manipulimit të votës, siç pretendohet në mënyrë absolute nga ana e selisë rozë?
Po e filloj nga pjesa e fundit e pyetjes tuaj. Pa u futur në gjykime apo akuza të palëve të interesuara, pas “pasave” institucionale: KQZ – Kolegj Zgjedhor, zgjidhja e vetme, për mendimin tim, mbetej përsëritja e zgjedhjeve në Tiranë, qoftë dhe në mënyrë të pjesshme. Madje kjo duhej kërkuar që në fillim nga secila palë, apo të arrihej aty me konsensusin e tyre, në sajë të diferencës së konstatuar në përfundim të numërimit. Por jo të vazhdohej me “teatrin” absurd të KQZ-së! Kjo, për shumë arsye, në radhë të parë për vlerësimin ndërkombëtar të institucionit të votës së lirë, të ndershme e demokratike, në prag të procesit të fitimit të vendit kandidat. Më tej, me “teorinë” e saposhpikur për konsiderimin e çdo vote, u arrit “klonimi” i kompetencave ligjore dhe i kapacitetit ndërhyrës e vendimmarrës të vetë KQZ-së, deri në një ndryshim rregullash pothuajse në fund të procesit të numërimit. Mbi të gjitha, me mjaft gjakftohtësi u “pompua” një vendimmarrje vetëm me votat e shumicës (kur kërkohej një shumicë e theksuar për këtë vendimmarrje kaq të rëndësishme!). Për më tepër, edhe sikur të ishte arritur konsensusi i të gjithë anëtarëve të KQZsë dhe vendimmarrja të merrej para fillimit të procesit të votimit (por jo në fund të numërimit të tij), prapë nga ana ligjore një gjë e tillë nuk do të mund të vlerësohej si e shëndetshme, edhe pse politikisht, në funksion të stabilitetit institucional, ajo do të ishte deri diku e pranueshme në sajë të konsensusit të arritur! Sepse, në fund të fundit, në kushte politike normale, kuadri ligjor apo ligjvënia bazë (jo nën-aktet shoqëruese) nuk i takojnë KQZ-zë, por vetëm organit legjislativ, Parlamentit shqiptar. Nga ana tjetër, një sjellje e tillë partizane e joligjore, u reflektua, në një mënyrë apo tjetrën, edhe në vendimin përfundimtar, bazuar dhe në atë të Kolegjit Zgjedhor… Në lidhje me pjesën e parë të pyetjes tuaj, përgjigjja në analizën time është disi tjetër, edhe pse në kushte normaliteti e ndershmërie ajo do të vlente dhe për pjesën e mësipërme të përgjigjes. Sidoqoftë, pa pretenduar për ndonjë ndershmëri “speciale” të palëve në zgjedhjet për minibashkitë, një problem në vete ka qenë aty cilësia dhe gjerësia e aleancave, serioziteti, sinqeriteti e mobilizimi në realizimin e tyre, apo vetë përzgjedhja e kandidatëve. Në këtë kuptim, edhe kandidimi i katërt, plot hezitim deri dhe i vonuar, i zotit Rama, ishte jo ai i duhuri. Aq më tepër, për një kryetar partie – kandidat për kryeministër! Bile, edhe në kushte fitoreje, ai do të krijonte, për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, situata të ngjashme me ato të zgjedhjeve të vitit 2009…Së fundi, nisur nga pyetja e juaj konkrete, dëshiroj të bëj dhe disa plotësime më përgjithësuese mbi zgjedhjet shqiptare dhe institucionin e votës së lirë e demokratike, në mënyrë më të veçantë me parregullsitë shoqëruese të tyre. Dhe për këtë ka disa arsye. Në radhë të parë kjo lidhet me ethen jodemokratike të ruajtjes apo marrjes së pushtetit, akumulimit dhe shfrytëzimit të tij. Së dyti, kjo ethe është bashkëshoqëruar, në rrjedhje të kohës, me një korrupsion politik të përmasave të dukshme, që ka ushqyer po aq fuqishëm edhe vetë korrupsionin ekonomik. Së treti, i gjithë procesi i tranzicionit, edhe për arsye të udhëheqjeve konkrete politike-partiake, mentalitetit të kaluar, intolerancës dhe mungesës së bashkëpunimit, papjekurisë dhe prirjeve të qarta antidemokratike, është shoqëruar me një mungesë të fortë besimi midis forcave politike kryesore të vendit. Së katërti, vetë strukturimi partiak nuk ka arritur të demokratizohet deri në atë shkallë që të pasqyrohet drejtpërsëdrejti në përfaqësimin institucional, në qeverisjen qendrore apo ajo vendore. Po ashtu, dhe infrastruktura zgjedhore ka mbetur tërësisht partiake në çdo nivel të saj, ndryshe nga fryma fillestare e Kushtetutës apo amendamentet e neneve nr. 153 dhe 154 të saj mbi KQZ-në, që e përcaktonin atë si një strukturë ligjore-institucionale jopartiake si në vendet e tjera europiane. Dhe, së fundi, ne ende nuk e kërkojmë, nuk e gjejmë apo nuk e pranojmë zgjidhjen brenda nesh. “Preferojmë” atë jashtë mjedisit institucional e social shqiptar, jashtë kornizës tonë ligjore e kushtetuese, duke i “fyer” apo pa i shfrytëzuar fare kapacitetet tona njerëzore-institucionale, përfshirë dhe atë të kryetarit të shtetit…
Në dy zgjedhjet e rëndësishme të zhvilluara që pas ardhjes së Edi Ramës në krye të PSsë, në 2009-n zgjedhjet e përgjithshme dhe në 2011-n zgjedhjet vendore, përtej akuzave për manipulim nga lidershipi i PS, e majta nuk po arrin dot të vijë në pushtet dhe të shpalosë alternativën e saj. Ka ky rezultat një kosto për të majtën dhe mendoni se Edi Rama ka dështuar në këtë mision dhe duhet të largohet për t’i hapur rrugë një lidershipi të ri?
Pas zgjedhjeve të vitit 2009, unë, në përputhje me statutin e PS-së, jam prononcuar kundër kandidimit të z. Rama, njëlloj siç u deklarua z. Rama kundër kandidimit të z. Nano pas zgjedhjeve të vitit 2005. Madje, ky i fundit pati kurajën, me gjithë kërkesën e mjaft delegatëve në kongresin e vjeshtës 2005, të respektonte “moralin” e statutit të partisë. Pra, mirë apo keq, pas zgjedhjeve partiake 2009, të “stisura” ose jo, ku kandidat alternativ ishte Maqo Lakrori (një nga themeluesit e PS-së), Edi Rama mbeti kryetar partie, por tashmë me mandat 4-vjeçar. Në “justifikim” të këtij kandidimi të sforcuar, ishte e natyrshme edhe sjellja e tij opozitare jobashkëpunuese, deri duke krijuar një mbilodhje brenda PS-së e strukturave të saj, nga njëra anë, dhe mosbesim e ftohtësi në komunitetin ndërkombëtar ndaj tij e kryesisë së PS-së, nga ana tjetër… Aktualisht po tentohet të tejkalohet ky “paradoks”. Ndërkohë, mbetet si problem konceptimi i drejtë mbi aleancat politike. Lidershipi socialist, vetë Rama apo kushdo qoftë ai në krye të partisë, duhet të kuptojnë drejt “matematikën” elektorale, përfshirë dhe lojën e ngjyrave që në teorinë e tyre lidhet, në mënyrë të veçantë, me tri “ngjyra” politike themelore! Aktualisht, të tilla janë PS, PD dhe LSI. Por, të rëndësishme janë dhe “nuancat” e tjera si PSD, PDS etj., nga njëra anë, apo PR, PLL etj., nga ana tjetër, me një mes të luhatshëm si PDNJ, PDIU etj. Kjo duhet kuptuar edhe nga PS-ja, ndryshe nga PDja, që, siç vihet re vitet e fundit, e ka realizuar më së miri, bile pa rezerva, një orientim të tillë. Aq më tepër që kjo bëhet e domosdoshme me sistemin e sotëm zgjedhor…
Meqë jemi te aleancat, mund të pohohet se rolin parësor në zgjedhjet e ardhshme do ta luajnë pikërisht këto aleanca; serioziteti, ndershmëria dhe zemërgjerësia (jo megalomania apo arroganca) në realizimin e tyre. Dhe, në këtë kuadër, duhet të shihet mundësia e bashkëpunimit PS-LSI, madje në drejtimet e këtyre partive duhet të promovohen individë që e kuptojnë qartë një domosdoshmëri të tillë! Kështu, në zgjedhjet e vitit 2005, lufta e egër midis PS-së e LSI-së i dha fitoren PD-së, pa pasur as votat e duhura. I rrethuar nga disa servilë, këtë nuk e kuptoi as Nano, që shquhej për nuhatje e lojë politike.
Ndaj pozicionimit tim të qartë mbi domosdoshmërinë e aleancës PS-LSI, krahas unifikimit të partive të tjera të këtij kampi, janë ngritur në atë kohë mjaft nga “zërat” e sotëm që janë sot pro këtij bashkëpunimi. Apo ata që, edhe pse ende “timidë”, janë në mbështetje të kësaj aleance. I nisur po nga ajo bindje, në zgjedhjet e vitit 2009, me kërkesë të LSI-së (të përfaqësuar nga S. Brokaj dhe N. Legisi) dhe me mbështetje të S. Pëllumbit, D. Agollit dhe M. Zeqos, takova z. Rama për ta bindur atë mbi domosdoshmërinë e bashkëpunimit apo aleancës elektorale me LSInë. Ai ishte krejtësisht kundër, duke besuar “entourage”- in servil të tij për një fitore elektorale mbi 60%. Kjo, pikërisht kur, sipas llogaritjeve të mia të ekspozuara para tij, rezultati i PS-së së bashku me LSI-në nuk e kalonte dot numrin e 72 deputetëve… Bile, edhe ky rast konkret më ka rritur dyshimin mbi kapacitetin përbashkues të lidershipit të sotëm socialist dhe kryetarit të saj. Aq më tepër që edhe gjatë zgjedhjeve të fundit vendore, krejt ndryshe nga sjellja e PD-së ndaj aleatëve të saj të vjetër e të rinj, PS-ja vazhdoi të mbetej refraktare ndaj aleancave të saj me PSDnë, PDS-në etj. Së fundi, dëshiroj të shtoj se jo gjithmonë aspekti numerik është mbizotërues. Bile, në këtë kuptim, strukturat drejtuese të LSI-së, në analizën e rezultateve elektorale, duhet të bëjnë dallimin midis zgjedhjeve vendore dhe atyre të përgjithshme. Për më tepër, kjo parti duhet të përcaktojë krahun politik të saj përpara zgjedhjeve të vitit 2013, madje shumë kohë para tyre. Jo vetëm në kuptimin e përfaqësimit elektoral, por edhe të programit politik e qeverisës, përndryshe, rezultati mund të rezultojë zhgënjyes! Kjo edhe pse “karemi” i penalitetit të kryetarit e vështirëson deri diku pamjen politike dhe pragmatizmin e tij dhe të forcës që kryeson…
Kreu socialist Edi Rama pranoi pak javë më parë se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 ishin gabim, pasi u prishën balancat mes pushteteve. Mendoni se duhet të dalin përgjegjësi për ndërhyrjen në Kushtetutë në 2008-n për mënyrën se si ndryshimet u bënë dhe koston që solli në funksionimin e institucioneve dhe prishjen e balancave mes pushteteve? Ka kreu socialist një përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë dhe si duhet menaxhuar ajo?
Është pak që të pranosh si kalimthi apo me “doreza” gabimin, aq më tepër kur gjithçka e lidhur me këto ndryshime u bë me një shpejtësi rrufe, që çuditi sa shqiptarët jomilitantë, po aq dhe ndërkombëtarët. Për më tepër, kur pas ngjarjes së Gërdecit, një gjë e tillë nuk ishte as e nevojshme, as e dobishme për pozicionimin e PS-së! Ishte kjo një dehje çasti, një naivitet politik- ligjor apo një konsulencë e paaftë pranë institucionit të kryetarit të partisë! Ekziston dhe një variant tjetër, madje disa “zëra të ligë” flasin për një tentativë të paramenduar mirë për mënjanimin e partive më të vogla, si: LSI-ja, PSD-ja, PDS-ja etj. nga skena politike, dhe kalimin e sistemit politik në atë dypartiak (për të cilin, në fakt, nuk është ende e pjekur demokracia hibride shqiptare). Sidoqoftë, për mendimin tim, ndërhyrja e rrufeshme, fare e pamenduar, në Kushtetutë, ishte një gabim jo i thjeshtë. Ajo preku seriozisht parimet demokratike kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe të balancës midis tyre. Aq më tepër që kundër këtyre ndryshimeve u pozicionua jo vetëm LSI-ja (me grevën e saj disaditore brenda sallës së Parlamentit), por dhe aleate të tjera të PS-së, si PSD-ja. Kundër atyre ndryshimeve nisi dhe një lëvizje qytetare, pjesë e së cilës ishin dhe dy kryetarë shteti!…”Çudia” ime e madhe e atëhershme ishte heshtja e deputetëve socialistë që kishin miratuar Kushtetutën e vitit 1998 apo fakti që listës së nevojshme të deputetëve për dërgimin e këtyre ndryshimeve në popull nuk iu bashkuan dot emra socialistësh, si: P. Majko, N. Dokle etj., që kishin drejtuar vetë fushatën e vjeshtës së vitit 1998 për referendumin popullor të Kushtetutës. Por, po aq e madhe është dhe “çudia” ime e sotme me reagimet diametralisht të kundërta, diku dhe të “prera”, të disa drejtuesve të LSI-së, gjë që vë në dyshim pozicionimin parimor të atëhershëm të tyre!…
Ju jeni pjesë e një iniciative për ndryshime kushtetuese bashkë me ish-presidentin Moisiu? Si e mendoni procesin e konsultimeve për ndryshimet në Kushtetutë dhe, sipas jush, në cilat aspekte duhet ndërhyrë në Kushtetutën aktuale? Nuk e di pse është shqetësuar aq shumë politika, sidomos ajo qeverisëse! Çfarë i ka djegur?
Sidomos kur pa kontributin e saj nuk mund të arrihet asgjë! Por le të kthehemi te pyetja. Në fakt, nuk bëhet fjalë për ndonjë temë të re. Kështu, pas ndryshimeve të papritura kushtetuese në 2008-n, unë, së bashku me juristët e shquar A. Anastasi, V. Meçaj dhe prof. L. Omari, me mbështetje të fondacionit “Soros”, organizuam disa konferenca shkencore me studentë dhe pedagogë të fakulteteve juridike të disa universiteteve. Me të drejtë u shpalosën në këto konferenca mjaft ide të vlefshme, që jo vetëm i shërbejnë rritjes së kulturës kushtetuese, por dhe ndihmojnë në situata ndryshimesh të mundshme të vetë Kushtetutës. Po këtij qëllimi do t’i shërbejë dhe konferenca e nëntorit 2011, e planifikuar disa muaj më parë, e palidhur me pretendimet e PS-së së javëve të fundit. Çudia e madhe është që, paralelisht me shpalosjen e “ambicieve” të PS-së, ku as unë, as z. Moisiu nuk jemi pjesë, filloi dhe sulmi publik “çavezian”, sidomos me dërgimin e porosive te “llazoret mediatike”, tek zhvatësit e zhyrësit e tipit të “55″-s!… Por, le të kthehemi te pyetja juaj. Disa nga mendimet që mund të diskutohen në këtë veprimtari janë ato që lidhen me organizimin parlamentar të Shqipërisë: me një dhomë apo me dy dhoma, me zgjedhjen e Presidentit të Republikës (1. duke ndjekur një rrugë konsensusi midis forcave politike, gjë që nënkupton një proces fillestar zgjedhjeje të kryetarit të shtetit, që kërkon votën mbështetëse të mbi 84 deputetëve (60%), ndërsa, pas përfundimit të pasuksesshëm të 3 raundeve të para, të mos kalohet në zgjedhjen e tij me shumicë absolute (50%+1), por të kalohet në zgjedhjen e Presidentit nga populli, në bazë të rregullimeve kushtetuese-ligjore përkatëse; 2) duke zbatuar drejtpërsëdrejti variantin e zgjedhjes së menjëhershme të Presidentit nga populli, në një garë me një numër të arsyeshëm kandidatësh). Mund të trajtohen probleme ligjore që lidhen me emërimin e ministrave (të lidhur me detyrat specifike kushtetuese të kryetarit të shtetit: a) si përfaqësues i politikës së jashtme (në ndërlidhje me ministrin e Jashtëm dhe Trupin Diplomatik shqiptar), b) si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura (në ndërlidhje me ministrin e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm) apo c) si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (në ndërlidhje me ministrin e Drejtësisë dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë, apo me prokurorin e Përgjithshëm për sistemin e Prokurorisë). Një çështje tjetër për diskutim mund të jetë ajo që lidhet me Këshillin e Sigurimit Kombëtar në variantet përkatëse (ose organ vendimmarrës si në paketën kushtetuese, me riformulim të nenit 169.1, ose të ruhet ai pranë institucionit të kryetarit të shtetit (Presidentit) si një strukturë e re, e ngjashme me atë të KLD-së, jo për vendimmarrje, por si organizim, planëzimi apo shikim orientues e vizionar mbi sigurinë, sidomos me kalimin nga siguria tradicionale shtetërore në atë njerëzore). Në lidhje me Forcat e Armatosura duhet të “dinamizohet” neni 12, paragrafi 3 (“Asnjë forcë e huaj ushtarake nuk mund të vendoset dhe as të kalojë në territorin shqiptar, si dhe asnjë forcë ushtarake shqiptare nuk mund të dërgohet jashtë, përveç me një ligj të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”) për një rrugëdalje të shpejtë dhe elastike në kuadër të anëtarësimit në NATO. Vlen të analizohen për zgjidhje më të drejta nenet që lidhen me mocionin e besimit dhe mosbesimit, që me amendamentet e realizuara në 2008- n prekin thelbin e ndarjes së kompetencave apo të pushteteve. Një çështje që kërkon analizë është dhe ajo e Prokurorisë së Përgjithshme, e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese (miratimi për to të realizohet në Kuvend me një shumicë parlamentare mbi 60%, ndryshe nga praktika aktuale me një votim të thjeshtë apo me shumicë absolute). Mund të ruhet njëlloj neni që lidhet me shkarkimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, gjë që vlen të konsiderohet edhe për shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm (po me mbrojtje përfundimtare nga institucioni i Presidentit, sipas paragrafit 2, neni 149). Pa vazhduar më tej, mund të diskutohet problemi i mandateve në mjaft institucione të pavarura, përfshirë dhe mundësinë e rizgjedhjes për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese apo atë të Lartë. Janë po aq të rëndësishme amendamentet që përgatisin procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, p.sh., ato që kanë të bëjnë me detyra të politikës monetare, që i hiqen Bankës së Shqipërisë me integrimin e vendit në eurozonë. E kështu me radhë…
Në muajin shtator, me nisjen e sesionit të ri parlamentar, pritet që opozita të kthehet në Kuvend duke nisur, siç është deklaruar, një kurs të ri politik. Çfarë kostoje ka dhënë bojkoti 2-vjeçar i PS-së dhe çfarë ju prisni nga grupi i deputetëve duke nisur nga vjeshta?
Kurs politik!? Nuk e kuptoj këtë term tepër të “fryrë”; për mua ai mishëron më shumë një retorikë politike pa përmbajtje. Për mua edhe termi “dialog”, i përmendur me kohë e pa kohë nga ndërkombëtarët, më duket si ajo puna e fëmijëve, që pasi janë zënë me grushte, shtrëngojnë duart të detyruar nga mësuesit apo prindërit e tyre. Ndërkohë që, në kuadër të përfaqësimit popullor, është i detyrueshëm ndërveprimi institucional, brenda rregullave, kuadrit ligjor e kushtetues! Ndërsa, kur është i domosdoshëm, një mekanizëm korrigjues e ndryshues mbetet dhe reagimi qytetar e popullor. Sidoqoftë, për PS-në, 2 vjet të harxhuara pothuajse jashtë Parlamentin, besoj se kanë vlejtur për të analizuar dhe kuptuar më mirë pakënaqësinë e qytetarëve jomilitantë mbi protestat jodemokratike, djegiet e shkatërrimet apo bllokimet institucionale 5-6-vjeçare të PD-së në opozitë. Së fundi, gjithçka është e mundur me hapjen e Parlamentit në vjeshtë, megjithatë më shumë se një lojë legale më tepër e mundshme është një sjellje e tipit të “maces me miun”…
Marrë nga “Panorama”
a.q/NOA