Prishtinë, 7 gusht 2011, NOA – Emri i policit të njësisë speciale Enver Zymberi i vrarë mbrëmjen e 26 korrikut gjatë aksionit të marrjes nën kontroll të dy pikave kufitare në veri të Kosovës do të kujtohet tashmë edhe përmes një rruge në Prishtinë.
Këtë e bëri me dije Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, teksa vizitoi rrugët e kryeqytetit të Kosovës ku po vazhdojnë punimet.
Mustafa gjatë inspektimit të rrugëve tha se do t`i propozojë Komisionit për Emërtime të Shesheve dhe Rrugëve, që një rrugë e kryeqytetit të pagëzohet me emrin e heroit Enver Zymberi.
Kreu i Prishtinës tregoi për mediat kosovare se me emrin e heroit të ri duhet të emërtohet rruga nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës deri te rruga “Fehmi Agani”.
Polici i njësisë speciale të Kosovës ROSU, 32-vjeçari Enver Zymberi baba i tre fëmijëve u vra me snajper nga ekstremistë serbë ndërsa bënte pjesë në aksionin e ndërmarrë për kontrollin e dy vendkalimeve kufitare të veri të Kosovës.
KD/mit/NOA