English

Përgjaket rruga Durrës-Kavajë, 5 aksidente në një orë, dy të vdekur 6 të plagosur

Durrës-Kavajë, 7 gusht 2011, NOA – Rrugët e Durrësit dhe Kavajës, dy nga zonat me trafikun më të dendur për shkak të sezonit turistik, janë përgjakur pasditen e kësaj të diele, duke shënuar vetëm brenda një ore pesë aksidente me dy viktima dhe gjashtë të tjerë të plagosur rëndë.

Aksidenti i parë u shënua rreth orës 16:00 në rrugën kryesore nga Kavaja për në plazhin e Spillesë.

Në këtë aksident përplasja me një fungon ishte fatale për drejtuesin e një motoçiklete, i cili mbeti i vdekur në vend, ndërsa bashkëudhëtari i tij u plagos rëndë.

Korrespondenti i agjencisë NOA bën me dije se vetëm pak minuta më vonë në rrethrrotullimin e Shkozetit u përplasën dy makina, duke lënë të plagosur jashtë rrezikut për jetën dy persona.

Por, fatale ishte kjo e diel edhe për një kalimtar, i cili ndërsa po kalonte pranë mbikalimit në zonën e Golemit është përplasur për vdekje nga një automjet që po kthehej drejt Durrësit.

Një tjetër aksident u shënua në hyrje të qytetit të Kavajës, ku një motorr u përplas me një fugon me targa të huaja, e ku drejtuesi i motorrit u plagos rëndë.

Po kështu jashtë bilancit të aksidenteve nuk mbeti aksi rrugor Ura e Dajlanit-Plepa, ku një grua 50-vjeçare që po kalonte pranë stacionit të plazhit Hekurudha u përplas nga një motorr duke marrë plagë të rënda.

Ky qerthull i frikshëm aksidentesh i shënuar vetëm në një orë sipas policisë ka të njëjtat shkaqe, shpejtësinë tej normave të lejuara të qarkullimit të automjeteve, parakalimin e gabuar dhe pakujdesinë e kalimtarëve.

Policia e Durrësit po heton për shkaqet e aksidenteve.

mit/NOA

KOMENTE