Nga Aleksandër Meksi
Prej pak vitesh ka në Ballkan një realitet shqiptar krejt të ndryshëm, madje jo vetëm shqiptar, nga ai i gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Shqiptarët në shumicën e tyre jetojnë në shtetet e tyre, në rrugën e mundimshme e të stërzgjatur prej tyre drejt demokracisë, apo dhe në shtete të tjera diku të njohur në qenien e tyre si shqiptarë e në të drejtat e tyre që në Europën e sotme ju takojnë, e gjetkë jo, por që sidoqoftë një ditë do t’i marrin.
Ka ardhur koha, edhe pse jemi të vonuar, për të kërkuar brenda asaj që na lejojnë, për të shtruar dhe vënë në rrugë për zgjidhje, sot apo në vitet që vijnë në të ardhmen tonë evropiane - çështjen shqiptare. Sot kjo shprehje përdoret shumë rrallë, shumë herë më pak se në periudhat e mëparshme. Duket se qeverisjet me mentalitet të feudalizmit të hershëm nuk e dëshirojnë. Sot, pas pavarësisë së Kosovës, kemi, siç thotë Shaban Murati (‘Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës’, 2009), një cilësi të re të Çështjes shqiptare, dhe jo vetëm në aspektin politik, por edhe në aspekte të tjera, të cilat megjithëse janë cekur nga shumë autorë, janë lënë mënjanë nga ata që duhet të japin zgjidhje - qeveritë e të dy vendeve. Ato, me sa duket, merren vetëm me bejllëkun e tyre.
Kanë qenë të shumtë ata, ndër ta dhe shkruesi i këtyre radhëve, që janë shprehur në shtypin e përditshëm për nevojën, në kushtet e reja, pas çlirimit nga zgjedha serbe e sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për një ndryshim rrënjësor e cilësor në marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve shqiptare. Duam të ndalemi këtu, edhe për të shmangur keqinterpretimet apo debatet me dashje për emërtimin e të dyja trevave. Kemi thënë gjetkë se, Shqipëria është vendi ku shqiptarët banojnë me shumicë, në vazhdimësi territoriale dhe prej shekujsh aty. Sot, në pjesën më të madhe të asaj që ne quajmë Shqipëri, kemi Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, që janë pjesë përbërëse të saj, por jo Shqipëria, siç vazhdojnë ta quajnë për forcë zakoni disa Republikën e Shqipërisë. E quaj aspak të drejtë që këtë lajthitje ta përdorin si sulm ndaj atyre që thonë se Kosova është krahinë e Shqipërisë. Sigurisht që do të ishte më e saktë fjala pjesë, por kjo nuk është arsye qesëndisjeje për përdoruesit.
Tjetër gjë nëse kërkojmë që ky shtet, i krijuar jo vetëm nga banorët e Kosovës, por dhe nga të tjerë (paketa Ahtisari), të jetë i veçantë nga Republika e Shqipërisë dhe në të ardhmen dhe se banorët e saj janë të ndryshëm (nesër) nga të këtushmit. Këtë mund ta bëj historia, por jo analistët. Kohët e fundit po shpeshtohen tentativat për evidentimin e një “kombi” kosovar, që përjashton për rrjedhojë Çështjen shqiptare, dhe shkojnë në të kundërtën e saj. Unë nuk dua të zgjatem mbi absurditetin (më e pakta që mund të thuhet) e tyre e do të mjaftohem t’i dërgoj të interesuarit tek kritikat e goditura të Bleron Baraliut dhe Naser Aliut (‘Albshkenca’, qershor 2011). Ky i ashtuquajtur prej tyre komb kosovar, nëse ata do të mund ta krijonin të ndryshëm nga ai shqiptar, sigurisht që është punë e tyre, veçse do ju duhet shumë kohë e nuk e dimë se çfarë do dali. Mos harroni se kemi një identitet dhe kemi qenë krenarë për të, për gjuhën, besimin, traditat dhe i kemi ruajtur edhe në dhe të huaj për shekuj e larg mëmëdheut, nuk jemi tjetërsuar – ende nuk është shprishur gjaku i arbrit.
Po kështu, na duket i dëmshëm përdorimi nga shqiptarët i termit Shqipëri e Madhe, që përdoret nga të huajt dashakeqës, ashtu dhe i pakuptueshmi Shqipëri Natyrale. Termi Shqipëri do të ishte sipas nesh i mjaftueshëm, i nevojshëm, i domosdoshëm.
Diku andej nga viti ’94 pata në zyrën time Edita Tahirin. Pas bisedave mbi problemet që ajo parashtroi në emër të LDK-së, patëm një shkëmbim mendimesh për Çështjen shqiptare, e fokusuar në atë kohë në çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe, dhuna e të cilës me Milosheviçin ishte ekstreme. Gjatë bisedës nënvizuam domosdoshmërinë e marrëdhënieve njerëzore, kulturore e arsimore dhe brenda mundësive, edhe ato ekonomike. Ato përbënin në kushtet e atëhershme një hap të parë të rëndësishëm, por dhe të domosdoshëm për njësimin tonë të ardhshëm.
Me marrjen fund të pushtimit njëshekullor serb të trojeve shqiptare të Kosovës, kemi një situatë krejt të ndryshme, dy bashkësi sot të lira të vendosin për fatet e tyre dhe rrugën që duhet të përshkojnë, por të veçuara nga njëra-tjetra nga një kufi që duhet të kthehet sa më parë në fiktiv. Ky veçim ka krijuar dallime, veç atyre që kanë kudo për nga rrethanat historike, pjesë të ndryshme përbërëse të një kombi në kushtet e partikularitetit mesjetar, dasisë feudale dhe pushtimeve. Por ato në asnjë rast, veç në mendje të individëve të veçantë, nuk kanë sjellë tjetërsimin e thelbit kombëtar të tyre, të identitetit (fjalë që sot shpërdorohet), të aspiratave për bashkim, deri dje ëndërr e jetë njerëzish të bëra fli për të.
Ky realitet i ri, me rëndësi të veçantë për shqiptarët, mundëson në kushtet e sotme realizimin e atij hapi të parë në zgjidhjen e Çështjes shqiptare që e cekëm më lart. Sot mund dhe duhet (sipas nesh), të realizohet konceptimi i dy shteteve shqiptare si pjesë e një tërësie që duhet të funksionojë në mjaft aspekte si e tillë, në dobi të banorëve dhe të Çështjes. Kjo nuk realizohet njëherësh, por shkallë-shkallë e në disa aspekte. Në themel të saj mbetet dëshira e mirë e qeveritarëve të dy pjesëve, jo fjalimet, por veprimet.
Ne e kuptojmë këtë së pari, si programe që lehtësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve përgjatë kufirit të përbashkët. Pasja e dokumenteve identifikuese biometrike (karta e identitetit) mund të përdorë kontrollin e lehtësuar elektronik të udhëtarëve dhe vetëm në një krah të kufirit. Më vonë, kur kufijtë shtetëror me shtete të treta të jenë të sigurt e të kontrolluar, për udhëtarët mund të bëhet kalimi i lirë i kufijve ndërmjet dy shteteve (një mini ........), sipas emrit të qytetit ku do firmoset marrëveshja), ashtu siç veprohet sot në Europën e Bashkuar.
Hapi i dytë, që duhet të realizohet sa më parë, pas studimit nga ekspertët dhe marrëveshjes përkatëse, është krijimi i një tregu unik, të përbashkët mbarëshqiptar. Me një hap të tillë filloi Bashkimi Europian. Një veprim i tillë do të jetë me pasoja të mëdha e pozitive për zhvillimin ekonomik të palëve dhe për tregtinë private, pra për gjithë shqiptarët e do të jetë e ndjeshme në mirëqenien e tyre. Krijimi i këtij tregu të përbashkët mbarëshqiptar do të kërkojë struktura e marrëveshje të bashkërendimit të ekonomisë në shumicën e komponentëve (në radhë të parë doganat, si dhe politika të njëjta fiskale sipas modeleve europiane), që mund të krijojë fillimisht probleme, por më tej vetëm përfitime. Kështu, ekonomitë e të dyja palëve do të jenë plotësuese dhe mbështetëse të njëra-tjetrës. Modeli europian është një garanci dhe udhërrëfyes për këtë. Mendoj gjithashtu se njohuritë për të realizuar këtë nuk mungojnë, duhet dëshira dhe vendosmëria. Ashtu siç veproi Europa (asaj mund t’i kërkohet ekspertizë dhe mbështetje), ky njësim i tregut dhe bashkërendim i zhvillimit ekonomik do të bëhet shkallë-shkallë në rastet kur krijohen probleme dhe pasoja negative për prodhues dhe rajone të veçanta, duke pasur në dispozicion mjete dhe mekanizma të posaçme për të ndihmuar e ndërhyrë.
Hapi i tretë, dhe më i rëndësishmi në planin shtetëror dhe administrativ, dhe po flas nga përvoja ime në këtë fushë, konsideruar dhe mundësitë e sotme, është se ky treg i përbashkët dhe bashkërendimi i ekonomisë, kërkojnë domosdoshmërish që legjislacioni i të dy shteteve shqiptare të ketë trajtim të njëjtë të individëve në të gjitha aktivitetet ekonomike, në cilindo prej të dyja palëve, pra, të konsiderohen si rezident. Të tilla janë investimet, tenderët, shitblerjet e pronave, mallrave dhe shërbimet, veprimet bankare të çdo lloji e të tjera. Por mbi të gjitha, kërkojnë edhe harmonizim të ligjeve dhe rregullave përkatëse, sigurisht sipas modeleve europiane. Në të njëjtën kohë, zhvillimi më i madh ekonomik e social do të ketë impakt dhe për uljen e shfaqjeve negative, si krimi i organizuar e trafiqet, ashtu dhe korrupsioni, plagë që rrezikojnë përparimin dhe integrimin në Europë.
Së fundi, kam një vërejtje për politikën e jashtme të të dy shteteve. Ajo duhet të harmonizohet në marrëdhëniet me të tjerët, në njohjet reciproke, por dhe në prani të të tretëve, ku nuk duhet të sillemi sikur nuk jemi i njëjti popull dhe nuk kemi asnjë lidhje interesash në qëndrimet tona dhe në qëndrimet ndaj të tjerëve. Të jeni të sigurt se kështu do të na dëgjojnë dhe do të na respektojnë më shumë, sidomos fqinjët.
Ndërsa lehtësimet në lëvizjen e lirë ndihmojnë në njësimin kulturor e shpirtëror (pa cenuar larminë e veçoritë krahinore e të traditës) e dy palëve deri dje të ndara (kontakte shpeshherë me pasoja), ato nuk janë të mjaftueshme pa kontakte, ndërthurje e reciprocitet, bashkërendim e veprimtari të përbashkëta në fushën e arsimit dhe kulturës, në tekste dhe programe, në regjistrimet dhe pranimet e lira në shkollat e të gjitha niveleve dhe në njohjen e diplomave me kushte e rregulla të njëjta e të tjera. Këto duhet të vlejnë dhe për bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë këtyre dy shteteve. Nuk i falet qeverive tona dhe përbërësve të tjerë të jetës shoqërore e publike, që fare pak është bërë në këto 10 vite në këto drejtime. E ilustron këtë mungesa e shitjes këtu e librave që shtypen në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, mungesa e shtypit të përditshëm dhe periodik apo informacioni i rëndësishëm për jetën dhe ndodhitë. Kjo tregon se ende rrimë të veçuar dhe druajmë të njësohemi siç na takon. E ilustrojmë këtë edhe me mungesën e teksteve të plota të mirëfillta e shkencore të historisë së shqiptarëve e të letërsisë shqipe (ka përpjekje individësh), ku të gjithë përbërësit e kombit të pasqyrohen njësoj, pa lënë kënd jashtë. Këtu e 30 vite të shkuara kishte këmbime të profesorëve, konferenca të përbashkëta shkencore. Sot këto nuk janë në nivelin e pritshëm, madje nuk ka bashkërendim të kërkimeve shkencore, sidomos ato albanologjike, ku e jo vetëm tek to, gjithë trevat e shqiptarëve duhet të kenë një vështrim të përbashkët.
Sot, gjendja ekonomike në trojet tona ka rritur emigracionin; shumica kanë shkuar në vendet pranë, por edhe jo pak larg, në kërkim të një jete më të mirë e të qetë, për një të ardhme më të sigurt për fëmijët e tyre. Është detyra jonë t’ju mundësonim kthimin atyre që e duan këtë, dhe të mbajmë gjallë shqiptarizmin tek ata që do mbeten. Praktika e vendeve të tjera ka treguar se një rol luajnë institutet e kulturës (shqiptare në rastin tonë) në qendrat kryesore të emigracionit, të njëjta për të gjithë shqiptarët, të financuara nga të dy shtetet. Po kështu, qeveritë dhe përfaqësitë tona duhet të bashkëpunojnë e të ndihmojnë në këtë aspekt dhe të kërkojnë unifikimin e shoqatave shqiptare (p.sh., ka 13 vetëm në Milano), me një statut unik e të aprovuar, jo me kryetar të përjetshëm dhe vetëm atëherë këto të ndihmohen nga shtetet.
Të gjitha këto punë, jo të vogla, kërkojnë vullnet politik e dëshirë të mirë nga të dyja qeveritë, biznesi dhe operatorët ekonomikë, por edhe nga qytetarët. Duhet filluar sa më parë kjo punë dhe hapi i parë duhet të jetë një marrëveshje kuadër, e cila i jep zgjidhje të gjitha, në parim, problemeve të mësipërme (mund të shtohen dhe të tjera), që është dhe provë e dëshirës së palëve si dhe ngritja e grupeve të punës për problemet në veçanti, për zgjidhjen e të gjitha aspekteve e programeve dhe instrumentet e nevojshme ligjore e institucionale, me kalendarin e veprimeve si dhe informimi i publikut. Jemi të vetëdijshëm se ka çështje që kanë realizim të afërt e të tjera që kërkojnë studime e masa përafruese deri në zgjidhjen përfundimtare.
Sigurisht, që në zgjidhjen e qëndrueshme të këtij problemi madhor për kombin një rol mund të luajë dhe opinioni publik, shoqatat dhe ekspertët, duke dhënë propozime zgjidhjesh e sidomos duke i kërkuar politikës dhe autoriteteve zgjidhjen e problemeve, ndryshe do jemi në rrafshin e debateve dhe deklaratave të pafryt, kur koha kërkon të kundërtën, veprime të menjëhershme.
* * *
Zgjidhja e Çështjes shqiptare kërkon detyrimisht zhvillimin dhe përparimin e shqiptarëve, por dhe qytetërim e dinjitet njerëzor, jo krenari boshe, por respektim të shtetit ligjor, jo bashkësi të privilegjuara për nga klientelizmi politik, nepotizmi e veçanërisht krahinorizmi, i cili po shfaqet turpshëm dhe tejet agresiv. Ato krijojnë dhunë ndaj qytetarëve e shkelje të ligjeve, si dhe janë pengesë për integrimin në Europën e shekullit të 21-të. Vetëm të barabartët kanë dinjitet e krenari në qenien e tyre. Edhe zhvillimi më i madh dhe më i shpejtë ekonomik dhe shoqëror krijon krenari në qenien tonë, qytetari dhe jo dhunë e shkelje të ligjit, në të kundërt “kombi” do të jetë diku jashtë nesh. Nuk e vë në dyshim se ka dhe nga ata që nuk e duan këtë krenari dhe unitet rreth kombësisë.
Njëherazi, dua të theksoj se zgjidhja e këtyre problemeve nuk është detyrë individësh, sado autoritet të kenë e ju dëgjohet fjala, e as shoqatash apo grupimesh e strukturash “ad hoc”. Kjo punë mund të fillohet menjëherë, po ta dëshirojnë autoritetet, çka përbën dhe një provë atdhetarie për ta.
Tolerimi i shkeljes së ligjeve që janë në themel të shtetit të së drejtës inkurajon shkelësit, shthur rendin publik, bllokon ekonominë, largon investimet vendase dhe ato të huaja, krijon një emër të keq për vendin, pra largon, në mos bllokon zgjidhjen e Çështjes kombëtare, e siç vëren A.Vehbiu (‘Shekulli’, 12.7.2011), e pamundëson dhe e bën të padëshirueshme këtë, jo vetëm nga të huajt, por edhe nga të këtushmit.
Nëse duam zgjidhje të Çështjes shqiptare duhet të rithemelojmë, në të dy shtetet shqiptare, shtetin e së drejtës, shtetin demokratik, e vetëm atëherë për rrjedhojë do të kemi përparimin e vendit, rritjen e mirëqenies. Kjo varet nga ne, por varet dhe nga autoritetet, të cilat kur nuk na përfaqësojnë e kanë punë të tjera me të cilat dëshirojnë të merren, për ta atdheu do jetë atje ku dërgojnë paratë. Ne duhet të bindim veten edhe të tjerët se nuk duhet të rrimë indiferentë për Çështjen shqiptare për identitetin tonë e nuk duhet të lëmë askënd të na i nëpërkëmbë apo ta shkëmbejë me pushtet për kastën e vet.
Jashtë çdo diskutimi që zgjidhja e Çështjes shqiptare favorizohet nga përkatësia jonë në qytetërimin europian (pavarësisht shtytjeve shmangëse) dhe në perspektivën e hyrjes e më tej në integrimin real në Bashkimin Europian. Por ne e kemi në dorë ta përshpejtojmë këtë proces, duke instaluar demokracinë perëndimore, duke përbuzur e luftuar ata që na nëpërkëmbin, na përçajnë, na ulin dinjitetin kombëtar, duke na kthyer prapa në shekujt e errët të mesjetës. Pa këtë rilindje të kombit në të gjitha trojet shqiptare, e kemi të humbur betejën për Shqipëri.
Gazeta “Shqip”