Tiranë, 7 gusht 2011, NOA – Të gjithë ata që janë nisur drejt detit për pushime, të rrinë të qetë. Retë e shiut nuk do të shfaqen deri më 15 gusht. Vala e të nxehtit që ka mbërthyer këto ditë edhe vendin tonë, do të zgjasë deri në mesin e gushtit. Sipas sinoptikanëve, temperaturat do të shënojnë rritje çdo ditë dhe nuk do të përjashtohen as ditët kur termometri do të shënojë edhe 40 gradë celsius. Ndërkohë, sipas parashikimeve të motit edhe mëngjeset do të jenë të nxehta, gjë që është vënë re gjatë këtyre ditëve. Sinoptikanët shprehen se vetëm pas mesit të gushtit mund të pritet një rënie e lehtë dhe graduale e këtyre temperaturave të larta të cilat do të na shoqërojnë këto ditë.
a.q/NOA