English

Basha pranon të mbështesë projektet e Jahos për shkolla private arti

Kryetari i Bashkisë tha se mbështet projektet kulturore, bëhet fjalë për shkollë operistike dhe fole artistësh në Tiranë. Mirëkuptim i plotë me sopranon Ermonela Jaho

Tiranë, 8 Gusht 2011 NOA/ Rid Bulku - Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, gjeti mirëkuptim të plotë sot me sopranon e njohur Ermonela Jaho, në lidhje me dy projekte të rëndësishme kulturore.

Basha ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur idenë e sopranos me famë botërore, për ngritjen e një shkolle operistike në Tiranë, për promovimin e talenteve të reja. Ky projekt është një ofertë e rajonit të Emilio Romanjos në Itali, dhe do të kurohet nga profesorë italianë.

“Bashkia do të japë mbështetje të plotë për këtë iniciativë”, tha Basha, duke shprehur kënaqësinë që gjeti pëlqimin e sopranos për ngritjen në Tiranënjë foleje për artistët shqiptarë që janë tashmë yje të skenës botërore.

“Jemi gati të ngremë në Tiranë një fole të yjeve shqiptare të artit dhe skenës, në mënyrë që ata të mblidhen këtu të paktën një herë në vit, duke kontribuar që qyteti ynë të kthehet në një stacion të rëndësishëm dhe një atraksion për artin, turizmin, etj”, u shpreh Basha.

Sopranoja e njohur tha se ishte e kënaqur që gjeti një ngrohtësi të tillë në zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe theksoi rëndësinë që kanë këto projekte kulturore.

“E vlerësoj shumë mbështetjen që gjeta për ngritjen e një shkolle operistike, pasi kjo do të ndihmojë në promovimin e shumë të rinjve të talentuar, dhe jam dakord për ngritjen e folesë për artistët shqiptarë që kanë sukses në botë”, u deklaroi Jaho.

Kryetari i Bashkisë tha se komunikimi dhe mbajtja e kontakteve me personalitetet shqiptare të skenës botërore është një shërbim që i bëhet qytetit.

Pas takimit, për mediat z.Lulzim Basha tha: “Ka një fenomen mrekullie në operën botërore sot që vërehet, shfaqet dhe pastaj largohet në skenat kryesore të operas së botës, nga skenat më të vjetra qindra vjecare, përtej detit La Scala dh skenat e tjera… Sot kjo mrekulli shqiptare, Ermonela Jaho, ishte mysafire e imja këtu në Bashkinë e Tiranës, sepse është dhe mbetet një qytetare e Tiranës dhe një shqiptare e përkushtuar për fatin e qytetit dhe vendit të saj”.

Duke u ndalur në bisedën që kishin, Basha tha se “biseduam për dy çështje” dhe shtoi: “Znj. Jaho erdhi me një propozim konkret, propozim për të ngritur një shkollë operistike për evidentimin dhe trajnimin e talentit të ri shqiptar me mjeshtrit me të mirë të muzikës dhe menaxhimit të muzikës operistike nga fqinjë tanë italianë. Propozim, i cili është rezultat i interesimit dhe këmbënguljes së vetë znj. Jaho në Itali dhe që rezulton në një ofertë bujare nga Le province dell'Emilia-Romagna,të cilës i jap përkrahjen e plotë dhe u përkushtova për mbështetjen e Bashkisë së Tiranës për ngritjen dhe funksionimin sa më shpejtë të kësaj shkolle operistike”.

Më tej z.Basha tha se kishte diskutuar me “ambasadoren e shquar të identitetit të kulturës dhe qytetarisë shqiptare në botë, një projekt, të cilin qytetarët e Tiranës e njohin, atë të krijimit e të një “foleje”, këtu në Bashki, të yjeve de artit të kulturës shqiptare që jetojnë dhe punojnë kudo në botë dhe përfaqësojnë me standardet më të larta botërore Shqipërinë, Tiranën qytetarinë, me qëllim që këto kapacitete të mëdha, këta ambasadorë të vërtetë të këtij vendi të kenë në Tiranë, kryeqendrën kulturore të kombit, “folenë” e tyre, ku të vinë së bashku të paktën një herë në vit, dhe të kontribuojnë jo vetëm për të evidentuar talente më fushat e tyre përkatëse dhe për ti promovuar, por për të kontribuar për kauza të tjera artistike, shoqërore, promovuese, turistike, ekonomike, siç ka qenë një dhe është praktikë e suksesshme në kryeqytetet e Evropës”.

Nga ana e saj, Ermonela Jaho tha: “Mbështetja e këtij projekti ambicioz tregon edhe njëherë për mbështetjen e madhe që bën z. Basha për të vlerësuar talentet e reja, për t’i prezantuar këto talente edhe në botë. Mbështetja e z. Basha është tepër e vlefshme”.

r.b/NOA

KOMENTE