Bulqizë, 8 gusht 2011, NOA Update – Pas 15 ditësh grevë urie dhe rrezikut në rritje të jetës së të ngujuarve në minierën e kromit, sot një përfaqësi prej 6 minatorësh nga 13 grevistët e mbetur në minierën e Bulqizës, do të takohen me drejtuesit e kompanisë austriake ACR.
Takimi i shumëpritur do të zhvillohet në orën 16.00 në bashkinë e Bulqizës, e cila ka ndërmjetësuar këtë takim.
Lajmin për këtë takim e bëri publik kreu i Konfederatës së Sindikatave Kolë Nikolla, i cili bëri me dije se gjatë takimit me drejtuesit e ACR-së do të marrin pjesë vetëm gjashtë minatorët dhe përfaqësuesi i bashkisë, si ndërmjetës.
Ka qenë Komisioni i grevës që caktoi përfaqësinë e minatorëve, të cilët do të negociojnë lidhur me kërkesat publike të minatorëve, këtë herë pa praninë e përfaqësuesve të Konfederatës, duke pranuar dorazi kushtin e vënë nga ACR më herët.
Minatorët e Bulqizës do të negociojnë me drejtuesit e ACR-së mbi kërkesat për rritjen e pagës me 40 përqind, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurisë në minierë, uljen e moshës së pensionit, largimin e drejtuesve aktualë të minierës së kromit.
Deri më tani ACR gjatë deklaratave publike ka bërë me dije se është dakord për rritjen e pagës së minatorëve deri në 20 përqind, si dhe nisjen e investimeve në minierë për përmirësimin e kushteve të punës.
Nuk dihet nëse palët do të bien dakord për rritjen e pagës deri në masën 40 përqind, e cila është një kërkesë e panegociueshme për minatorët.
Pas takimit, palët do të duhet të nënshkruajnë një marrëveshje, e cila do të vërë në zbatim kushtet e aprovuara gjatë takimit të sotëm.
Ky takim i kërkuar edhe më herët nga kompania ACR, vjen në kohën kur rreziqet për jetën e minatorëve të ngujuar në grevë urie 1400 metra nën tokë janë në rritje e sipër.
Ekspertët dhanë alarmin se miniera rrezikon të shembet duke vënë përfund minatorët grevistë.
Ndërkohë që përtej rrezikut të shembjes gjendja shëndetësore e tyre është rënduar tejet. Takimi i sotëm është një shpresë për arritjen e mundimshme të minatorëve, që si kurrë më parë këmbëngulën me të gjitha mënyrat arritjen e kërkesave të tyre jetike.
Gjithçka pritet të vendoset në orën 16.00.
mit/NOA