Prishtinë, 8 gusht 2011, NOA – Kryediplomati i Kosovës Enver Hoxhaj deklaroi se vendimet e qeverisë së Kosovës janë legjitime dhe se do të zbatohen plotësisht në veri të vendit.
Në një intervistë për radion gjermane Deutschlandfunk, Hoxhaj theksoi se vetëm pas 12 vjetësh Qeveria e Republikës së Kosovës ka arritur që të ushtrojë kontrollin në veri të vendit dhe të parandalojë kontrabandën.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë për stabilizimin e situatës dhe respektimin e plotë të vendimeve të saj legjitime.
“Ne jemi të interesuar që me çdo kusht në veri të jetë situatë e qetë, në të njëjtën kohë do të respektohet plotësisht vendimi i Qeverisë së Kosovës dhe të kemi një gjendje si në të gjitha vendet e Evropës”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj bëri përgjegjës bandat kriminale të serbëve lokalë për aktet dhunshme të ndodhura në veri.
“Këtu bëhet fjalë për grupe kriminale, të cilat në 12 vjetët e shkuara kanë kontrolluar kontrabandën në veri”, nënvizoi Hoxhaj.
Ai akuzoi politikanët serbë në Beograd se shprehen ende me gjuhën e vitit 1999, sikur rajoni të qenkësh në prag të një konflikti të ri.
“Ne nuk besojmë se rajoni është para një konflikti të ri, por diplomacia evropiane duhet të bëjë më shumë presion mbi Serbinë dhe duhet të përdor një gjuhë më të ashpër ndaj tyre”, deklaroi shefi i diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj.
KD/mit/NOA