Tiranë, 8 gusht 2011, NOA – Ndërkohë që në veri të Kosovës ende vijon të mos zbatohet marrëveshja për zhbllokimin e barrikadave serbe, ministri i Brendshëm i Kosovës ka mbërritur në Tiranë për një takim me homologun Bujar Nishani.
Ministri Nishani vlerësoi ndërhyrjen profesionale të forcave policore të Kosovës në aksionin e ditëve të fundit për marrjen nën kontroll të dy pikave kufitare në veri të Kosovës.
Ai theksoi se rendi, siguria dhe sundimi i ligjit janë garanci e demokracisë dhe e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
“Angazhimi i forcave tuaja policore u krye në respekt të Kushtetutës së një vendi sovran, me profesionalizmin e duhur të një force policore demokratike dhe me vullnetin e plotë për zbatimin e ligjit. Ai i dha mesazh popullit të Kosovës që ligji qëndron mbi gjithçka dhe ne ndihemi mirë që një shtet i ri po konsolidon institucionet e tij ligjzbatuese”, u shpreh në takim Ministri Nishani.
Ministrat u shprehën se grupet kriminale dhe trafikantët nuk njohin kufij dhe janë gjithmonë e më të sofistikuar.
“Përballë këtij sofistikimi të krimit kërkohet një bashkëpunim dhe bashkërendim më i ngushtë i veprimeve mes forcave tona policore”, nënvizoi ministri Nishani.
Andaj sipas dy ministrave të Punëve të Brendshme Nishani e Rexhepi forcimi i rendit, sigurisë dhe lufta ndaj krimit si në Shqipëri dhe në Kosovë janë kontribut i drejtpërdrejtë edhe për sigurinë në rajon e më gjerë.
Ministri i Brendshëm Nishani nënvizoi gjatë takimit arritjet konkrete të bashkëpunimit mes forcave policore të të dy vendeve.
Në takim u nënvizua gjithashtu fakti se gjatë implementimit të marrëveshjes së kontrollit të përbashkët në kufi, vetëm në periudhën korrik - gusht 2011 është bërë i mundur identifikimi dhe ndalimi i 19 personave të kërkuar nga INTERPOL dhe nga autoritetet e të dy vendeve.
Këtu Nishani shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Brendshme për të mbështetur autoritetet e Kosovës me asistencë në punën e tyre, për përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.
mit/NOA