English

Të ngjitesh, të zbresësh…

E kam zili zotin kryeministër për këtë rekord. Përse? Thjesht sepse, ndonëse i shenjës së Peshqve, kam fobinë e thellësive dhe notoj ose rri në ujë, por vetëm me kusht që ta di që mund ta prek me këmbë, sa herë të dua, rërën në fund të detit, përndryshe bllokohem nga frymëmarrja Edmond Tupja Këto ditët e fundit, falë “pa paracëve” – të improvizuar apo të lajmëruar, pak ose gati pak rëndësi ka -, zoti kryeministër u filmua tek notonte në ujërat e Jonit, në Dhërmi, pikërisht atje ku, me sa duket, i është bërë zakon t’i kalojë pushimet e verës me familjen e vet. (Këtu ka fituar pikë, për besë, sepse edhe politikanët e tjerë shqiptarë, qofshin në pushtet apo në opozitë, do të bënin mirë të ndiqnin shembullin e tij, në mënyrë që të ardhurat e shqiptarëve të shpenzoheshin në vendin e tyre). Ngjarje kjo e zakonshme, por që, nga vetë pozita e personazhit, u kthye në eveniment apo event, siç thuhet e shkruhet sot, kështu që mediat nuk munguan ta komentojnë. Mësova, me këtë rast, se zoti kryeministër paska thyer rekordin e vet të vjetshëm të qëndrimit në ujë pa dalë në breg, madje pa e takuar rërën në fund të detit as me gishtin e vogël të këmbës. E kam zili zotin kryeministër për këtë rekord. Përse? Thjesht sepse, ndonëse i shenjës së Peshqve, kam fobinë e thellësive dhe notoj ose rri në ujë, por vetëm me kusht që ta di që mund ta prek me këmbë, sa herë të dua, rërën në fund të detit, përndryshe bllokohem nga frymëmarrja. Përveç kësaj gare në ujë me vetveten, zoti kryeministër u shpreh se i pëlqen edhe ngjitja, sigurisht majë malesh. Këtu, edhe unë nuk jam keq, më pëlqen shumë të ngjitem, por vetëm se kam një problem kur arrij në majë të një lartësie: po të gjendem buzë ndonjë humnere apo gremine të thellë, nisin e më merren mendtë. Vazhdimi i këtij problemi është se të zbriturit e kam shumë të vështirë. Ajo çka më bën tejet kureshtar në këtë pikë, po të guxoj të krahasohem me zotin kryeministër, është se nuk e di ç’marrëdhënie ka ai me zbritjen nga lartësitë marramendëse; thënë ndryshe, a i pëlqen të zbresë në humnera po aq sa i pëlqen të kacavirret majë shkëmbinjsh e malesh madhështore në dukje të pakapërcyeshme? Kur e pashë zotin kryeministër të notonte apo të pluskonte në ujë me aq siguri, m’u kujtua shprehja “si peshku në ujë” dhe e pata mirëfilli zili, por as nuk më vajti mendja ta sfidoja atë në këtë lloj veprimtarie. Kur e dëgjova të shprehej se i pëlqente të ngjitej maleve, u bëra gati t’i shkruaja apo t’i telefonoja për t’i thënë se mund ta sfidoja me ngjitje në lartësi, por u ndërgjegjësova se kjo ishte e pamundur ngaqë nuk ka lartësi pa humnera dhe humnerat, siç sapo e përmenda, mua më tmerrojnë, madje më shumë në realitet sesa në ëndërr (aq më tepër që fjala “humnerë” vjen nga shprehja “humb në erë”, ndërsa fjala “greminë” përmban fjalën “minë”, pra, që “të hedh në erë”). Shkurt hesapi e muhabeti, siç thonë të vjetrit, më duket gati e pamundur ta sfidoj zotin kryeministër në veprimtaritë e tij sportive qoftë në ujë apo në ajër lartësish. Gjithsesi, me humorin e tij të paparashikueshëm, por të qetë, ai mund të ma kthejë duke më thënë: “Edmond, kur nuk je i sigurt për gara të tilla, më e mira është të mos marrësh pjesë në to”. Përgjigje kjo e mençur, sepse të njëjtën këshillë do t’i jepja edhe unë sikur atij t’i shkrepej të më sfidonte, për shembull, në fushën e letërsisë erotike, ku, me sa thonë e shkruajnë (i kërkoj ndjesë lexuesit për mungesën e modestisë), nuk jam fort keq. Për ta mbyllur këtu këtë përsiatje të shkurtër, por jo pa domethënie, kam përshtypjen që para se të ndërmarrësh një ngjitje (në majë të lisit, të çatisë apo të malit) duke të jesh i sigurt që, me të arritur në majë, do të mund jo vetëm të qëndrosh atje, por edhe të zbresësh kur kjo bëhet e domosdoshme, e pashmangshme. Kjo është, në fund të fundit, dialektika e ngjitje-zbritjes. Në lis, çati apo mal. Në pushtet gjithashtu. Sidomos. Dhe këtë zoti kryeministër e di: tetë vjet në opozitë ia mësuan mirë, besoj. Tani u takon zengjinëve të rinj (pozitë e opozitë shkartisur) ta mësojnë ose ta rimësojnë. Që të mos humbin në erë. /Panorama/

KOMENTE