Kakavijë, 9 gusht 2011, NOA – Një emigrante shqiptare në Athinë është kapur me 200 gramë heroinë në çantën e dorës, ndërsa po kalonte pikën kufitare të Kakavijës përdrejt Greqisë.
Emigrantja quhet 34-vjeçarja Aurela Doksani, lindur dhe banuese në Fier, emigrante prej disa vitesh në Athinë.
Doksani po udhëtonte me automjetin tip Hyndai me targa greke YHO 4924, nga Fieri për në Athinë së bashku me djalin e saj 10 vjeç.
Zëdhënësi i policisë kufitare të Gjirokastrës Gentian Mullai bën me dije se gjatë kontrollit të makinës së saj në kufi brenda çantës së vogël të dorës, të cilën e kishte vendosur poshtë sediljes së pasagjerit iu gjet një pako e rrumbullakët e mbështjellë me letër natriban, ku brenda saj dyshohej se kishte lëndë narkotike Heroinë.
Grupi Hetimor konstatoi se në çantën e Aurela Doksanit ishin rreth 200 gramë heroinë.
Emigrantja shqiptare Aurela Doksani u arrestua, ndërkohë që iu sekuestruan lënda narkotike, automjeti dhe tre celularë.
Ndërkohë policia bën me dije se djalin e saj e kanë marrë familjarët e tjerë, të lajmëruar nga policia.
Blutë e Gjirokastrës po vijojnë hetimin e për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik.
Aurela Doksani është nën akuzë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
mit/NOA