Bulqizë, 9 gusht 2011, NOA – Sot pritet të marrë fund agonia e minatorëve të ngujuar prej 16 ditësh në grevë urie në mjediset e minierës së kromit.
Pas shtyrjes së takimit të djeshëm nga kompania austriake në orët në vijim pritet të mbahet takimi i shumëpritur i minatorëve me drejtuesit e kompanisë ACR që do të zgjidhë edhe situatën e rënduar të minatorëve në kushtet kur ata rrezikohen më shumë se kurrë që miniera t’u shembet mbi krye.
Ky takim i minatorëve u zvarrit për kaq kohë për shkak se kompania ACR nuk denjonte të ulej në një tryezë me përfaqësuesit e Konfederatës, të cilët nuk janë punonjës të minierës.
Ky ishte kushti i vënë nga ACR për të negociuar me minatorët, pasi sipas kompanisë drejtuesi i Konfederatës së Sindikatave Kolë Nikolla nuk punonte për interesat e grevistëve, por të vetat.
Pas ujdisë për një takim me gjashtë minatorët e përzgjedhur nga komisioni i grevës dje, kompania ACR pritet të pranojë kërkesat e grevistëve për rritjen e pagës me 40 përqind, përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e kushteve të sigurisë në minierë, uljen e moshës së pensionit, etj.
Takimi i sotëm vjen në një kohë kur minatorët janë në kushte tejet kritike për jetën e tyre, e të rrezikuar nga momenti në moment.
Megjithatë në një mbledhje urgjente mbrëmjen e të hënës, Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave vuri alarmin se ndërprerja e punës në minierë mund të pasojë shumë shpejt shembjen e minierës.
RISHM i propozoi ministrit të Energjitikës, Nasip Naço pezullimin e lejes minerare për kompaninë austriake ACR, pasi sipas RISHM nuk ka kryer investimet e nevojshme për sigurinë në minierë, dhe mbylljen e përkohshme të minierës.
Sipas METE-s, ministri Naço do të shqyrtojë sot dy propozimet dhe me shumë gjasë do të marrë vendim po sot.
Ky alarm erdhi pas plot dy javësh grevë urie të minatorëve në minierën e kromit në Bulqizë, ku nga 20 që hynë fillimisht kanë mbetur 13 minatorë, të cilët presin zgjidhjen e kërkesave të tyre jetike nën rrezikun potencial të humbjes së jetës në thellësitë e minierës.
mit/NOA