Rinas, 9 gusht 2011, NOA – Pas misionit në Kandahar kontigjenti paqeruajtës “EAGLE 2” është kthyer në Shqipëri. Për të pritur trupat paqeruajtës ishin të pranishëm, Zëvendësministri i Mbrojtjes, Z. Ekrem Spahiu, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi, Atasheu ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komandant Glen Braën, ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura, familjarë, miq dhe të ftuar të tjerë të cilët kishin ardhur për ti uruar mirëseardhjen misionarëve të paqes. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Gjunkshi përshëndeti ushtarakët, të cilët për 6 muaj me radhë përfaqësuan denjësisht Forcat tona të Armatosura dhe shtetin shqiptar në një mision shumë të vështirë në shërbim të paqes në Afganistan. “Ju vepruat dhe zhvilluat operacione përkrah aleatëve tanë të NATO-s në zonat më të nxehta të konfliktit, me një motiv të qartë për të rritur sigurinë, për të mbrojtur jetë të pafajshme dhe për të garantuar një jetë më të mirë për popullin afgan, duke dëshmuar profesionalizëm, disiplinë, guxim dhe besim. Përvoja që ju fituat është një garanci më tepër, se ashtu si deri më sot.
Forcat tona të Armatosura do të vazhdojnë të përgatisin dhe trajnojnë ushtarakë të aftë dhe të devotshëm, për të kryer detyra të tjera të ngjashme që do të na ngarkohen nga qeveria dhe shteti shqiptar në përmbushjen me sukses të misionit kushtetues, si brenda dhe jashtë vendit”, nënvizoi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Gjunkshi. Kontingjenti paqeruajtës i batalionit të Forcave Speciale “EAGLE 2”, u nis me mision në Kandahar, Afganistan, më datë 25 janar 2011. Ky kontingjent, i përbërë nga 44 ushtarë profesionist, nënkolonel dhe kolonel, kreu shërbimin e tij për 6 muaj në linjën e parë të luftimit përkrah forcave speciale amerikane.
a.q/NOA