English

Përplasje në LSI, Tavo - Vasilit: E papranueshme që në spitale s’ka ilaçe

Tiranë, 9 gusht 2011, NOA - Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, nuk kursen kritikat për ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili. Në një intervistë televizive Tavo vlerëson ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar, por shton se ekskluzivitetin e ndryshimeve të reja e ka vetëm kryeministri Berisha. Ndërsa mban detyrën e nënkryetarit të Kuvendit, ish-deputeti i Partisë Socialiste vlerëson se ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim duhet të japin llogari edhe përpara strukturave të partisë për punën e tyre. Tavo kërkon nga opozita në sesionin e ri kuvendor të bëjë detyrën e saj në Parlament. Në vlerësimin e tij Shqipëria ndodhet një hap larg firmosjes së hyrjes në Bashkimin Europian dhe për këtë duhet edhe kontributi i socialistëve në Kuvend.

“Unë kam qenë një nga deputetët, jo i vetëm por një grup deputetësh, kanë qenë kundër idesë së kryetarit Rama për bojkotin e Parlamentit. Opozita duhet që të vijë në Parlament, të shpalosë alternativat e saj, jemi një hap larg firmosjes së marrëveshjes për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe opozita ka rolin e vet në këtë pikë, gjë që opozita s’e ka bërë punën, detyrën e saj”, deklaroi Tavo në intervistën për “AS”.

Duke u ndalur konkretisht te dikasteret që drejtohen nga personalitete të Lëvizjes Socialiste për Integrim, nënkryetari i Kuvendit kritikoi vetëm shëndetësinë, duke “falur” Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Jashtme.

“Nëse për Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Jashtme bëra këto vlerësime të justifikuara, meqenëse jam mjek, do të thoja që nuk po shkon aq mirë puna në Ministrinë e Shëndetësisë. Është e papranueshme që sot, në spitalet tona, të mos ketë ilaçe dhe të detyrohen pacientët që të dalin dhe t’i blejnë ato në farmaci private. Buxheti i shtetit për sektorin e Shëndetësisë, në krahasim me 2005-ën, është trefishuar, çka do të thotë që edhe shërbimet duhet të ishin 3 fish të përmirësuara”. Kjo është hera e parë që Tavo sulmon një ministër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që prej kohës kur iu bashkua kësaj force politike, duke u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Dikasteri që sulmon Tavo drejtohet që prej vitit 2009 nga ana e Petrit Vasilit, ndaj të cilit ka patur në muajt e kaluar sulme prej përfaqësuesve të Partisë Socialiste, por jo “brenda llojit”.

Në kohën kur Partia Socialiste e sulmonte publikisht ministrin Vasili, kreu i LSI-së, Ilir Meta, nuk ngurroi ta mbronte fort, duke e vlerësuar punën e tij. Zoti Vasili mbetet i vetmi ministër që i ka mbijetuar lëvizjeve dhe rokadave në radhët e LSI-së brenda koalicionit qeverisës me Partinë Demokratike. Ministri aktual i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, që mban edhe detyrën e zv.kryeministrit, është emëruar në këtë funksion pas largimit të Metës prej Ministrisë së Jashtme. Gjithashtu Nasip Naço, që ka detyrën e ministrit të Ekonomisë, zëvendësoi Metën kur ky u largua si shenjë reagimi ndaj publikimit të asaj çka u cilësua “video skandal Meta-Prifti”. Ilir Meta dhe Dritan Prifti, dy prej ministrave të LSI-së që u bënë pjesë e koalicionit me PD që në nisje të mandatit në shtatorin e vitit 2009, tanimë nuk janë në kabinet. Ndërsa Prifti ka kaluar në opozitë dhe është larguar prej radhëve të LSI-së, Meta pret rikthimin në ekzekutiv.

a.q/NOA

KOMENTE