Bulqizë, 9 gusht 2011, NOA Update – Minatorët e Bulqizës të ngujuar në grevë urie kanë refuzuar propozimin e kompanisë austriake për t’u takuar nesër në Tiranë në mjediset e zyrave të ACR-së.
Minatorët grevistë duke iu përgjigjur propozimit të kompanisë koncensionare i bënë me dije se takimi mes tyre do të mbahet vetëm në Bulqizë, pikërisht aty ku 13 minatorët vijojnë grevën e urisë në ditën e 16-të.
Refuzimin e minatorëve e bënë me dije përfaqësues të Konfederatës së sindikatave, e cila mbështeti vendimin e minatorëve.
Grevistët paralajmëruan kompaninë ACR, por edhe autoritetet e vendit se në rast se takimi mes tyre dhe ACR-së nuk zhvillohet të mërkurën në Bulqizë, atëherë afro 700 minatorët e Bulqizës do të hidhen të gjithë në grevë urie dhe do të zaptojnë madje rrugën kryesore Tiranë – Peshkopi - Qafa e Buallit.
Në pritje të takimit të sotëm, vetëm pak më parë kompania austriake ACR përmes një deklarate tha se i mirëpret bisedimet me minatorët për të diskutuar për kërkesat e tyre.
Në këtë këndvështrim, ACR propozoi mbajtjen e takimit me përfaqësinë e minatorëve të mërkurën në orën 11.00 pranë zyrave të kompanisë në Tiranë.
Duke pritur përgjigjen e minatorëve, ACR bëri me dije se dëshiron arritjen sa më shpejt të zgjidhjes së situatës.
ACR nënvizoi se kryenegociator i kompanisë austriake do të jetë administratori Giga Bedineishvili.
Ndërkohë pas këtij propozimi të refuzuar nuk dihet nëse kompania austriake do të pranojë të takohet me minatorët nesër në Bulqizë.
Situata e minatorëve vijon të rëndohet edhe më tej, ndërsa disa prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohen me serum.
mit/NOA