English

Shqiptari vret djalin e gruas që bashkëjetonte

Milano, 9 Gusht 2011 NOA/ Rid Bulku – Një vrasje mes emigrantësh ka ndodhur në qytetin e Milanos me pasojë vdekjen e një të riu ukrainas. Përgjegjës për vrasjen u identifikua një emigrant shqiptar i cili u arrestua, raporton korrespondentja e agjencisë NOA.

Viktima është Ivan Stefiuk, 29 vjeç, emigrant nga Ukraina. Autor i dyshuar i krimit është Tomë Arraj nga Shkodra, 46 vjeç, emigrant prej kohësh në Itali. Policia tha se i dyshuari ishte emigrant klandestin me precedentë të mëparshëm penalë.

Nga rindërtimi i skenës së krimit të ndodhur dje në jug të Milanos, policia thotë se vrasja erdhi në kushte të një humbjeje kontrolli nga i dyshuari për shkak të konsumimit të pijeve alkoolike.

Në gjendje të dehur, Arraj ka shkuar në një barakë në periferi të Milanos, te rruga Campazzino që ju e dalloni në këtë foto të ditës përbri lajmit.

Kur ka hyrë në barakën ku jetonte me gruan ukrainase dhe të birin e saj, ky i fundit bashkë me një shok ka dashur ta nxjerrë nga shtëpia 46-vjeçarin duke pretenduar se ai s’duhet të jetonte me ta.

Në sherr e sipër me djalin 29 vjeçar të gruas me të cilën bashkëjetonte, e ka qëlluar atë me thikë duke e plagosur rëndë. Thikën ai e mori në kuzhinë në gjaknxehtësi e sipër.

Tomë Arraj mesa duket i penduar për atë që bëri, i tha bashkëjetueses ukrainase që të njoftonte policinë dhe ndihmën e shpejtë.

U deshën plot 30 minuta që nëna e të plagosurit të arrinte të lidhej me celular me policinë, pasi valët në ekstremin jugor të Milanos ishin të dobëta.

Një orë pas ngjarjes i riu ka mbërritur në spitalin San Carlo, por humbi jetën sot në orën 05.00 të mëngjesit nga tre plagët me thikë që kishte marrë në kraharor dhe bark.

Policia arrestoi të dyshuarin pa rezistencë dhe tha se po heton deri në fund rrethanat dhe pikënisjen e krimit.

r.b/j.s/NOA

KOMENTE