Tiranë, 9 gusht 2011, NOA – Nuk kanë të sosur aktet e rënda në gjirin e familjes, ku bashkëshortët tentojnë të zgjidhin konfliktet me dhunë.
Pas një konflikti mes dy bashkëshortëve, 31-vjeçarja Hyrije Bruka ka goditur me sëpatë bashkëshortin e saj Qazim Bruka duke e plagosur rëndë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e të hënës në një banesë përdhese tek ish-Kombinati “Josif Pashko”.
Bashkëshorti i plagosur është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Grupi hetimor i policisë së Tiranës ka nisur hetimet duke marrë në pyetje në komisariat autoren e ngjarjes Hyrie Bruka.
Nga deklarimet e saj do të varet edhe hetimi i çështjes, ndërkohë që sipas burimeve nga policia ende nuk dihen arsyet që çuan bashkëshorten në goditjen me sëpatë të bashkëshortit.
Nuk përjashtohet pista e xhelozisë së njërit prej bashkëshortëve apo konflikte mes tyre për motive të dobëta, që degjeneruan deri në goditjen e njërit prej tyre, arsye që asesi nuk mund të përligjin dhunën mes çiftit.
mit/NOA