Londër, 9 gusht 2011, NOA Update – Pas trazirave të tri ditëve të fundit në Londër, kryeministri britanik David Cameron deklaroi se grupet kriminale që po i vënë zjarrin e po plaçkitin zona të ndryshme në Londër do të përballen me ligjin.
Trazira dhe përleshje mes grupeve të të rinjve dhe policëve ka patur edhe në Liverpool, Birmingham, Manchester dhe Bristol.
“Thjesht dhe vetëm kriminalitet”, i ka cilësuar aktet e dhunës, plaçkitjeve e zjarrvënieve në Londër e në qytete të tjera të Anglisë, kryeministri Cameron.
Shefi i qeverisë britanike, i cili ndërpreu pushimet për shkak të trazirave në Londër dhe do të drejtojë Komitetin e krizës, ka deklaruar se do të bëhet gjithçka duhet për të vendosur ligjin.
Kryeministri britanik nënvizoi se të gjithë përgjegjësit e trazirave dhe përleshjeve në Londër do të ndëshkohen rreptë.
Ndërsa Parlamenti është thirrur të enjten në një seancë të jashtëzakonshme.
Policia e Londrës pritet të zbarkojë në rrugët e kryeqytetit britanik 16 mijë agjentë në 24 orët në vijim për të përballuar trazirat.
Sky News bëri me dije më herët se një 26-vjeçar është plagosur rëndë nga armët e përdorura në Croydon në jug të Londrës, dhe është në gjendje kritike për jetën në spitalin e Londrës.
Që prej shpërthimit të trazirave mbrëmjen e të shtunës, pas vrasjes së një të riu nga policia, efektivët e Scotland Yardi-it kanë prangosur mbi 450 persona.
Mësohet se edhe ndeshja miqësore Angli-Holandë e programuar për sot në stadiumin Wembley të Londrës është anulluar për shkak të trazirave, ndërkohë që për këtë ndeshje ishin shitur 70 mijë bileta.
mit/NOA