English

Trazirat në Londër, Cameron lë pushimet, mbledh sot Komitetin e krizës

Londër, 9 gusht 2011, NOA – Përleshjet e të rinjve me policinë dhe trazirat e shpërthyera të shtunën e kaluar në Londër janë përshkallëzuar edhe në qytete të tjera si Manchester, Bristol e Liverpool.

Në Manchester grupet e të rinjve kanë shkatërruar e vënë zjarrin një numri të madh makinash.

Ndërkohë që sipas BBC-së në Bristol një grup prej 150 të rinjsh u përleshën me policinë.

Burime nga policia e Londrës thanë për BBC-në se një 26-vjeçar u gjet i plagosur rëndë me armë zjarri në Croydon në jug të kryeqytetit britanik dhe tashmë ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.

Agjentët e Scotland Yard bëjnë me dije se deri tani janë arrestuar 450 persona të dyshuar për trazirat dhe grabitjet në zonat Ealing dhe Clapham në Londër.

Qelitë e burgjeve në Londër janë mbushur plot andaj të arrestuarit për frymëzimin e dhunës dhe trazirave do të transferohen në komisariatet e policisë jashtë kryeqytetit.

Nga shpërthimi i trazirave kryeministri britanik David Cameron ka ndërprerë pushimet në Toskana të Italisë dhe do të thërresë sot Komitetin e Krizës për të vendosur mbi masat për ndalimin e dhunës në kryeqytet, e mbërritur në ditën e tretë.

Londra tri ditët e fundit u paralizua duke u kthyer në një fushëbetejë dhune, ku grupe të rinjsh me fytyrë të mbuluar u përleshën me policinë duke dhunuar edhe mjediset e kryeqytetit.

Trazirat shpërthyen të shtunën në darkë pas vdekjes së një të riu gjatë përleshjes me policinë.

mit/NOA

KOMENTE