English

Anglia, “deri në fyt” me zjarre dhe plaçkitje

Një numër më i madh forcash policore në rrugët e Londrës duket se ka arritur të zvogëlojë përmasat e zjarrvënieve dhe plaçkitjeve në këtë qytet, që nisën me shpërthimin e valës së dhunës të shtunën që lamë pas.

Megjithatë, trazirat janë përhapur në disa qytete veriore, përfshirë këtu Mançesterin dhe Birmingemin. Sipas policisë, grupe të mëdha të rinjsh të maskuar kanë sulmuar dyqanet dhe ua kanë vënë zjarrin makinave.

Geri Sheuan, zëvendës i shefit të policisë në Mançester, ka dhënë më shumë hollësi...

"Këta janë kriminelë të thjeshtë, të cilët janë sjellë në mënyrë të egër në gjithë Mançesterin, veçanërisht në qendër të qytetit dhe në Salford. Dua ta bëj absolutisht të qartë se s’kanë arsye për të protestuar, s’ka ndodhur asgjë në kuptimin e padrejtësisë dhe s’ka pasur motiv për ta nxitur këtë".

"E gjithë kjo është një dhunë e pakuptimtë, një kriminalitet i pakuptimtë, në nivelin të cilin nuk e kam parë në gjithë karrierën time”, ka thënë zoti Sheuan.

Trazirat janë raportuar edhe në Liverpul, Uest Bromuiç, Uolverhempton, Notingem dhe gjetkë.

Dhuna fillimisht shpërtheu të shtunën, në lagjen shumetnike të Totenhemit në Londër, gjatë një proteste të disa qytetarëve të zemëruar për vrasjen e 29 vjeçarit Mark Dugan.

Ai është qëlluar nga forcat e rendit në rrethana që ende vazhdojnë të jenë të pashpjegueshme.

Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, i ka bërë thirrje parlamentit të ndërpresë pushimin veror dhe të mbajë një sesion të enjten, për të diskutuar krizën e krijuar.

Opozita ka tërhequr vërejtjen se shkurtimet në shërbimet publike dhe dështimi për t’u marrë me problemet sociale i kanë kontribuuar trazirave, por Kameron ka hedhur poshtë këto pohime, duke thënë se dhuna në Londër dhe qytetet tjera është thjesht kriminalitet dhe se me të do të përballen forcat e rendit.

"Do të sigurohemi që procedurat gjyqësore për të arrestuarit të përshpejtohen dhe njerëzit duhet të presin shumë, në fakt shumë më shumë arrestime në ditët në vijim".

"Jam i vendosur, qeveria është e vendosur, që drejtësia të vihet në vend dhe që këta njerëz të përballen me pasojat e veprimeve të tyre”, ka thënë Kameron.

Raportimet e fundit flasin për më shumë se 1,100 persona të arrestuar në gjithë vendin.

Deri më tash, një person i qëlluar të hënën në lagjen Krojdon të Londrës, ka ndërruar jetë, kurse më shumë se 100 policë raportohet të jenë lënduar.

Asociacioni i kompanive të sigurimeve në Angli ka vlerësuar se dëmet e shkaktuara mund të arrijnë deri në dhjetëra milionë funta angleze.

Trazirat kanë bërë që edhe ndeshja e së mërkurës në Londër midis Anglisë dhe Holandës të anulohet.

Shqetësimet janë ngritur edhe për gatishmërinë e Londrës që të jetë nikoqire e Lojërave Olimpike të Verës, vitin e ardhshëm.

Nëpër rrugë, qytetarët ndihen të frikësuar. Duke qëndruar i ulur në njërën nga kafeteritë e pakta që ishin hapur në Londër, Daniel Bouden, thotë se nuk do të qëndrojë edhe shumë…

"Secili tash është me celular në duar, duke komunikuar me dikë – thuajse në pritje që të ndodhë diçka, të gjithë jemi në pritje të këtilla. Thjesht do të shkojmë në shtëpi, të mbyllim dyert dhe të mbahemi”, thotë zoti Bouden.

Disa zyrtarë në Angli kanë kërkuar nga sistemi i mesazheve Blackberry të pezullojë funksionimin, me bindjen se bandat nëpër rrugë e kanë shfrytëzuar pikërisht këtë pajisje për t’u mobilizuar.

Masat e shtuara të policisë nëpër rrugët e qyteteve angleze mbeten në fuqi, derisa kryeministri britanik ka lejuar edhe shfrytëzimin e topave të ujit për të shpërndarë turmat që djegin dhe plaçkisin.

KOMENTE