English

Bajko: Unë dhe Kiço Mustaqi, si e blinduam Partizanin

INTERVISTA/ Flet Neptun Bajko, ish-trajneri i ekipit të Partizanit dhe i ekipit Kombëtar

Albert Zholi

Pasi lexoi monografinë “Kiço Mustaqi Ministri i Mbrojtjes midis dy sistemeve” ish trajneri i Kombëtares Neptun Bajko tregon njohjet e tij me ish–ministrin e Mbrojtjes

Kur je njohur për herë të parë me ish-ministrin Kiço Mustaqi?

Ka qenë viti 1986. Unë sapo kisha marrë si trainer ekipin me famë të “Partizanit”. Atëherë në Shqipëri kishte disa ekipe të mirë si “Dinamo”, “Vllaznia”, “Flamurtari”, Besa” etj. Në këtë periudhë “Partizani” po bënte disa ndryshime në ekip. Unë doja të bëja ca prurje të reja. Ekipi ishte me lojtarë të shkëlqyer që dhe sot kujtohen dhe respektohen.

Çfarë kërkesash konkrete bëtë dhe kujt?

Unë i kisha vënë syrin mesfushorit të “Luftëtarit” Lefter Millo, Memushit të Vlorës dhe Besnik Bilalit të “Vllaznisë”. Ishin të tre lojtarë të rinj që po bënin ushtrinë. Ata të tre dhe në ushtri po luanin me skuadrat e tyre.

Pse kjo shpërndarje gjeografike?

Pasi të ruanim dhe unitetin mes krahinave edhe të forconim traditat. P.sh. një shkodran na duhej edhe për humorin e bukur. Dikush na duhej për këngë, dikush për poezi apo për të veçantat e krahinës së vet. Kjo ishte jo vetëm pikëpamja ime por edhe e udhëheqësve të kohës.

Si ju përgjigj Kiço Mustaqi kërkesës tuaj?

Më pyeti gjerë e gjatë për të tre. Edhe ai më pyeti përse kjo gjeografikërkesë. Unë i sqarova gjithçka. Më tha s’do të kthej sot përgjigje por do të lajmëroj shumë shpejt.

Thonë që Kiçua ishte shumë i rreptë dhe autoritar?

Se di ç’thonë të tjerët. Unë them atë çka ruaj unë në takimet me të. Ai më priti me shumë ngrohtësi dhe përgjigjen ma dha në kohë. Unë edhe më pas kam ruajtur raporte shumë korrekte me respekt të ndërsjellë me të.

Kush nga tre futbollistët ju solli më shumë probleme për ta marrë tek Partizani?

Lefter Millo i “Luftëtarit”. Gjirokastra bëri shumë luftë për ta mbajtur. U bë problem qeveritar atëherë. Por ishte dhe vendosmëria e Kiços që ai të vinte tek ne. Ishte një sportist shumë punëtor, i palodhur. Ai dhe Lame ishin shumë të përgatitur fizikisht. S’kishin dallim nga lojtarët e huaj.

Në atë kohë kush ishte ndeshja më e bukur që ka zhvilluar Partizani jashtë vendit?

Në radhë të parë dua të them se në vitin 1986-1987, ekipi i Partizanit u shpall kampion i vendit. Në atë periudhë ishin vitet më të bukura të kësaj skuadre të madhe. Lojtarët e saj kishin dhe një unitet të madh, e respektonin dhe e donin shumë njeri tjetrin. Këtu ishte dhe baza e suksesit. Tani të vijmë tek ndeshjet me jashtë…

Atëherë diçka konkrete?

Ne luajtëm për Kupën e Kampioneve me Lisbonën e Portugalisë që ishte Kampione e Europës. Në përgatitjen e skuadrës dhe dhënien e “vizës” për jashtë të lojtërve një ndihmë të madhe më dha sërishmi ish-ministri Kiço Mustaqi. Ai e firmosi kërkesën time për lojtarët e ekipit pasi më pyeti me hollësi.

Si doli rezultati i ndeshjes?

Një rezultat i thellë por me dinjitet.

Si ta kuptojmë këtë?

Po humbën 4:0 por me favorizim të arbitrit.

Këtë e thoni për justifikim?

Aspak. Deri në minutën e 57 rezultati ishte 1:0 për portugezët. Ata kishin sulmuar shumë por ne mbroheshim dhe kundërsulmonim rrezikshëm. Në këtë minutë një mbrojtës i yni kthen topin pas tek Musta. Kur kapi topin ai u sulmua nga një sulmues portugez, Perlati nxori gjurin siç bëjnë portierët në kësi rastesh. Arbitri në mënyrën më të shëmtuar i nxjerr kartonin e kuq. Askush nuk e besonte. Edhe tifozët vërshëllenin për këtë veprim. Drejt arbitrit shkon dhe Ahmetaj dhe e kundërshton. Arbitri nuk nguroi i nxjerr dhe atij të kuqen. O zot. Askush nuk e besonte.

Si vazhdoi ndeshja?

Ja kuptojeni vetë. Portier vendosëm Tomorin që ishte 158 më i shkurtri në fushë. Më vonë arbitri nxori dhe dy të tjerë me të kuqe. Pra luajtëm me 7 lojtarë dhe ndeshja zgjati 102 minuta pra 12 minuta më shumë.

Si reagoi shtypi vendas?

Na përkrahën. Për Mustën thanë “portier gjigand” më i miri në Europë. Shqipëria luajti si e barabartë me Benfikën. Kjo ishte humbje me dinjitet.

A dhatë konferencë për shtyp?

Në fillim kur pashë lojtarët në dhomat e zhveshjes që ishin shtrirë dhe qanin, nuk doja të dilja. Edhe mua më lotuan sytë. Kishin bërë një lojë të fortë. Por në konferencë për shtyp i thashë të gjitha.

Kush të bëri më shumë përshtypje në konferencë?

Një gazetar i moshuar. Ai më pyeti për Loro Boriçin. E kam pas shok shkolle, tha. Dhe ti luajte sipas skemës së tij: Mbrohu dhe kundërsulmo.

Fund

KOMENTE