English

Drejtoria e policisë në Tiranë, mbrojtje për viktimat e trafikut

Tiranë, 10 gusht 2011, NOA - Përfaqësia e Përhershme e Francës pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Vjenë do të financojë hapjen dhe funksionimin e një salle pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Tiranë për të këshilluar dhe ndihmuar viktimat e mundshme të trafikut të qenieve njerëzore, kryesisht gratë dhe fëmijët.

Marrëveshja për këtë financim u nënshkrua sot në Ministrinë e Brendshme nga Ministri i Brendshëm Z. Bujar Nishani dhe Ambasadorja e Francës në vendin tonë Znj. Maryse Daviet.

Ministri Nishani garantoi se partneriteti do të sjellë rezultate më të mira në përballimin e fenomenit të trafikut të qenieve njerëzore.

“Tek Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të gjeni një partner serioz dhe dinamik në angazhimin për të përballuar një sfidë që është shumë e rëndësishme sot për çdo shoqëri, për çdo vend, për të luftuar që në themel pjesën e trafikimit, por edhe atë që është pjesa tjetër e këtij fenomeni dhënien e ndihmës, dhënien e asistencës, proceset e rehabilitimit dhe të riintegrimit të viktimave të mundshme të këtij trafiku”, deklaroi Ministri Nishani.

Ambasadorja e Francës në Shqipëri Znj. Maryse Daviet tha se, marrëveshja e sotme konfirmon bashkëpunimin mes qeverive të të dy vendeve për të forcuar më tej luftën kundër fenomenit të trafikut të qenieve njerëzore dhe për të përmirësuar asistencën ndaj viktimave të trafikut për integrim më të lehtë të tyre në shoqëri në një fazë të dytë.

a.q/NOA

KOMENTE