English

Hiqen barrikadat serbe në Leposaviç

Leposaviç, 10 gusht 2011, NOA – Në veri të Kosovës, mbrëmë vonë janë hequr barrikadat e serbëve në Lesposaviç në rrugën që të çon drejt pikës kufitare Jarinë, ndërsa po hiqen edhe ato në Zubç.

Në Rudare rrugët vijojnë të mbeten të bllokuara nga barrikadat.

Të ashtuquajturit kryetarë të katër komunave serbe në veri të Kosovës, thonë se për heqjen e barrikadave do të vendosin shtabet e krizave, bën me dije Bota sot.

Kryenegociatori serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç tha mbrëmë se marrëveshja me KFOR-in do të realizohet.

Ndërkohë mbledhja e serbëve lokalë e lajmëruar për të martën në Leposaviç u shty, pasi autoritetet lokale të serbëve në veri të Kosovës nuk lipset ta miratojnë marrëveshjen me KFOR-in, por vetëm ta realizojnë, pra të japin urdhër të hiqen barrikadat në rrugë.

Heqja e barrikadave në veri të Kosovës vjen pas mëse dy javësh qëkur policia speciale e Kosovës nisi aksionin për marrjen nën kontroll të dy vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës.

Serbët iu përgjigjën këtij veprimi duke bllokuar të tëra rrugët në veri të Kosovës, që të çojnë në dy pikat kufitare në Bërnjakë e Jarinë.

mit/NOA

KOMENTE