English

Minatorët në grevë, qytetarët e Bulqizës bllokojnë aksin e Qafë Buallit

Bulqizë, 10 gusht 2011, NOA Update – Ndërkohë që 13 minatorët e Bulqizës vazhdojnë grevën e urisë në ditën e 17-të të ngujimit në minierë, familjarë, të afërm të minatorëve dhe qytetarë të Bulqizës kanë zaptuar rrugën kombëtare në zonën e Qafë Buallit.

Disa qindra qytetarë mësohet të kenë dalë në mbështetje të kërkesave të minatorëve duke përshkallëzuar protestën e tyre me bllokimin e aksit rrugor.

Korrespondenti i agjencisë NOA bën me dije se qindra njerëz janë ulur në mes të rrugës në shenjë proteste.

Por, në përpjekje për të zhbllokuar rrugën forcat e policisë kanë hasur në këmbënguljen e qytetarëve për të mos lëshuar këtë aks të bllokuar.

Policia po tenton t’i bindë qytetarët të zhbllokojnë aksin nacional, ndërsa në mbështetje të tyre kanë mbërritur edhe forcat speciale të RENEA-s.

Kjo protestë e familjarëve ishte paralajmëruar që një ditë më parë, ndërkohë që gjendja e minatorëve të ngujuar sa vjen e rrezikohet më tepër.

Ende nuk dihet kur do të mbahet takimi mes minatorëve dhe kompanisë austriake ACR për zgjidhjen e kërkesave të minatorëve dhe të tërë situatës së rënduar, ndërsa afro 700 minatorët e tjerë kërcënojnë t’i bashkohen grevës së urisë.

mit/NOA

KOMENTE