Moskë, 9 gusht 2011, NOA - Moska zyrtare i ka bërë thirrje OKB-së, NATO-s dhe Bashkimit Evropian të mos lejojnë Prishtinën që t'i nënshtrojë me dhunë rajonet serbe të Kosovës.
“U bëjmë thirrje OKB-së, NATO-s dhe BE-së, të cilat janë të pranishme në Kosovë, të tregojnë përgjegjësi maksimale, në mënyrë që të mos lejojnë një skenar të tillë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme ruse, Aleksandër Llukasheviç, raporton REL.
Duke folur për planin e arritur më 5 gusht, mes KFOR-it e zyrtarëve serbë, Llukasheviç tha se kjo ishte një “marrëveshje e dhunshme”.
Për Rusinë qëllimi i marrëveshjes është për të reduktuar tensionin, por Moska është e bindur që marrëveshja së pari duhet t'u përgjigjet njerëzve të rajonit.
Sipas tij, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, në përputhje me Rezolutën 1244, duhet gjithmonë të mbajë nën kontroll situatën në Kosovë.
REL/NOA