Tiranë, 10 Gusht 2011 NOA – Tanimë të gjithë e dinë se presidenti aktual i Republikës Bamir Topi, nuk e gëzon mbështetjen zyrtare të mazhorancës e cila e votoi unanimisht në vitin 2007 për tu zgjedhur kryetar i shtetit.
Këtë radhë gjërat duken ndryshe, madje sulmet e kryeministrit kanë qenë mëse të dukshme që nga akuzat për puç shteti dhe deri për votë pro Edi Ramës në zgjedhjet e 8 majit.
Në këto kushte dhe në dëshirën e flaktë që të gëzojë edhe një mandat të dytë, Presidenti Topi duket se po përdor një kartë tjetër, që në fakt nuk është e panjohur për të: Dëshiron “të blejë” votat e opozitës.
Këtë, sipas deklaratave më të fundit, është e gatshme ta bëjë opozita, duke nisur me sinjalet e partive të vogla.
Për Topin kjo do të ishte “blerja” e dytë e mandatit të Presidentit. Më herët më 2007 ai pasi dështoi në votimet e para në Parlament që të marrë 84 vota, arriti të marrë votat edhe të gjashtë deputetëve socialistë duke u shpallur President.
Këtë radhë, Topi ndonëse në dukje shihet si në vështirësi për vota për shkak se nuk ka mbështetjen e kreut të mazhorancës, në të vërtetë, nëse do të jetë i propozuar nga opozita, ka rrezik të fitojë jo vetëm 71 vota, aq sa i duhen për tu zgjedhur kryetar shteti pas ndryshimeve në Kushtetutë që bënë Rama dhe Berisha më 2008, por edhe 74 vota e pse jo edhe më shumë.
Nga vijnë këto shifra? Është shumë e thjeshtë: Topi duke u propozuar nga opozita, në fakt rrëmben automatikisht të paktën 67 vota. Këto i bashkëngjiten votat e partive të vogla që mund të çojnë në shifrën e domosdoshme 71. por gjasat e forta janë që të arrijë dhe më shumë vota, pasi do mbështetës i ka ende në Parlamentin ku dikur ishte kryetar i Grupit Parlamentar të PD.
Më poshtë gjeni një intervistë që gazetari Kreshnik Kuçaj realizoi në tv Koha me Nard Ndoka, një ish-ministër Shëndetësie në mazhorancën e qeverisur nga Berisha dhe prej kohësh aleat i Partisë Socialiste dhe kreut të saj Edi Rama. Në intervistë, z.Ndoka shprehet i hapur për propozimin nga opozita të Topit si president për herë të dytë:
Viti i fundit i mandatit të presidentit ka hapur diskutimet e para për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri dhe për kandidaturat që mund të paraqesin partitë politike. Vetë Partia Demokristiane, si parti jo e majtë por e renditur në opozitë me Partinë Socialiste, çfarë procedure dhe kandidature mund të mbështesë?
Së pari, ne do ta rikthejmë Kushtetutën në parametrat e vitit 2008. Kushtetuta nuk është një letër që ndryshohet sipas dëshirave. Në pikën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, e konsideroj si një gafë të papërgjegjshme të opozitës ndryshimin e bërë, për faktin se Kushtetuta është ndërtuar mbi disa parime, mbi disa garanci dhe disa shtylla të cilat e mbajnë atë. Ne e kemi shembur njërën prej tyre; institucionin e Presidentit, duke e bërë që të zgjidhet nga një palë. Kështu, Kushtetuta e Republikës ka humbur garancinë dhe ka të hequr një bazament. Dhe është momenti që ta rindërtojmë. Kjo është fare e thjeshtë, që ne të kthehemi përsëri në zgjedhjen e Presidentit të Republikës me 2/3 në Kuvendin e Shqipërisë.
Unë do të vlerësoja në mënyrë maksimale rolin e presidentit aktual Bamir Topi, një njeri që megjithëse u ndesh herë pas here me politikën e papërgjegjshme, në të dy krahët për fatin e keq, presidentit Topi i janë hequr, i janë zvogëluar kompetencat në punë e sipër, pra ai është zgjedhur me 2/3 e votave dhe operon me kompetenca të një shumice të thjeshtë dhe ky ka qenë një problem jashtëzakonisht i madh në punën e tij. Nëse përpara Komisioni Qendror i Zgjedhjeve drejtohej në njëfarë mënyrë nga Presidenti i Republikës, për faktin se njëri prej anëtarëve të tij zgjidhej nga ai, për faktin se të gjithë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bënin betimin tek Presidenti. Pati një ndryshim, pati një pazar politik, duke e nxjerrë jashtë loje. Dhe kur politika e nxjerr jashtë loje Presidentin e Republikës, nuk mund t’i kërkojmë prononcim Presidentit për procesin zgjedhor. Kur ai nuk e kontrollon atë as formalisht. Prandaj sot është momenti që gjithsecili të reflektojë për rolin aktual të Presidentit të Republikës, i cili ka qëndruar mbi palët. Ne kemi parë një mazhoranca të çoroditur, e cila e ka sulmuar në mënyrat më banale të mundshme, institucionin e presidentit dhe këtë nuk e bën thjeshtë për pjesën politike, se zoti Topi është një eksponent i djathtë, madje më i djathtë se kryeministri aktual, por kjo mazhorancë i shikon institucionet që prodhohen prej saj që t’i nënshtrojë, të zbatojë urdhrat politikë e verbalë të saj. Ndërsa zoti Topi ka zbatuar Kushtetutën para urdhrave të partisë tek e cila ka kontribuar për disa vite. Kemi pasur më tepër një luftë politike të sajuar nga Partia Demokratike dhe lidershipi i saj ndaj institucionit të presidentit , kemi pasur një opozitë e cila për fatin e keq ka heshtur përballë këtyre sulmeve. Nuk ka pasur kurajën politike që ta mbrojë institucionin e presidentit. Opozita nuk është palë me Presidentin e Republikës, madje është larg. Ka kërkuar shumë gjëra nga Presidenti të cilat nuk kanë qenë në kompetencën e tij. Për fatin e keq, vetë opozita ia ka hequr ato kompetenca. Dhe kësisoj kemi pasur një President të Republikës i cili me ato kompetenca që ka pasur, ka qenë në lartësinë e detyrës dhe ajo që është më e rëndësishmja, ka qenë i vetmi institucion i cili është mbështetur nga faktori ndërkombëtar. Pra në raste krizash faktori ndërkombëtar ka dialoguar direkt me Presidentin e Republikës, i ka dhënë atij mbështetje maksimale në dy raste krizash që ka kaluar Shqipëria. Asnjëherë faktori ndërkombëtar nuk ka qenë palë as me mazhorancën dhe as me opozitën por ka mbështetur në mënyrë të drejtpërdrejtë Presidentin e Republikës.
Por mazhoranca aktuale e ka deklaruar qartë se nuk do të propozojë për herë të dytë Bamir Topin, madje as nuk do ta votojë. Në këto kushte, a mund të jetë opozita ajo e cila të hedhë emrin e Bamir Topit në tavolinën e negociatave?
Është ende herët që të flasim për kandidatë potencialë, për zgjedhjen e presidentit, për arsye se ne e kemi presidentin në detyrë. Unë nuk besoj në asnjë rast se zoti Topi do të jetë kandidatura zyrtare e Partisë Socialiste. Zoti Topi, me bindjet e tij është i djathtë, kontributin e tij politik e ka djathtas, dhe pjesa e opozitës së Partisë Socialiste, nuk besoj se ndan të njëjtin gjykim edhe me ne partitë e djathta aleate.
Ai pa diskutim që do të ketë mbështetjen tonë, pra partive aleate opozitare që sot ndodhen në bashkëpunim me Partinë Socialiste. Do të jetë kërkesë e jona që zoti Topi të jetë një kandidaturë e të gjithë opozitës së njësuar. Ky është një debat që mund të hapet. Që kërkon kohë, e që padiskutim do të pasojë edhe me ndryshimet kushtetuese etj. Do të jetë një betejë e madhe, të cilën Partia Demokratike, për fatin e keq po e kthen në një betejë politike personale duke sulmuar personalisht institucionin e presidentit dhe vetë zotin Topi. Ndërsa opozita në këtë rast e ka për detyrë që të mbështesë më tepër institucionin e presidentit sesa emra të përveçëm. Dhe këtë ne do ta bëjmë padiskutim në të gjithë hapat tonë të ardhshëm, pa qenë të fokusuar e të fiksuar tek kandidatët dhe emrat e përveçëm pasi për ne është shumë i rëndësishëm procesi. Pra së pari të vendosim ato standarte mbi zgjedhjen e presidentit, të vendosim ndryshimet kushtetuese pastaj pjesa e emrave, e kandidaturave, i takon së ardhshmes. Do të jetë në njëfarë mënyrë një luftë, nuk i shmangemi asnjëherë luftës politike. Do të jetë faktori ndërkombëtar ai i cili do t’i diktojë palët, kjo është e padiskutueshme. Në asnjë rast Presidenti i Republikës nuk do të jetë përfaqësues i kësaj mazhorance, për faktin se kjo mazhorancë ka dhunuar zgjedhjet, ka marrë me dhunë Bashkinë e Tiranës, dhe nuk besoj se faktori ndërkombëtar do të arrijë deri aty sa të lejojë që të marrë edhe Presidentin e Republikës. Pra, do të kemi zhvillime interesante në politikën shqiptare në javët dhe në muajt në vazhdim…
Fund