English

Prishja e ndërtimeve pa leje, Bashkia: Çdo ditë një aksion i ri

Tiranë, 10 gusht 2011, NOA – Disa orë pas prishjes së ndërtimit të parë pa leje, që pas rotacionit politik, bashkia më e madhe në vend deklaron se veprime të tilla do të jenë të përditshme.

Në deklaratën zyrtarë shpërndarë mediave në mesditë, konfirmohet se policia Bashkiake e Tiranës nisi prishjen e një pallati pa leje, të ndërtuar në rrugën “Ismail Strazimiri”. Pas konstatimit të ndërtimit, Policia Bashkiake në fillim bllokoi punimet, bëri akt-kontrollin dhe mori masat për shembjen e ndërtesës si dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme.

Pallati pa leje ishte bërë shqetësim për komunitetin dhe banorët e zonës e denoncuan rastin, në Policinë Bashkiake, pas thirrjes që bëri Bashkia, ku i kërkoi qytetarëve që të bashkëpunonin me autoritetet, për vendosjen e ligjshmërisë në territorin e kryeqytetit.

“Bashkia e Tiranës sot po zbaton Ligjin. Ne jemi të vendosur dhe ligji do të sundojë në territorin e kryeqytetit. Kemi konstatuar dhe bllokuar edhe raste të tjera të ndërtimit informal. Zbatimi i ligjit do të jetë i vazhdueshëm dhe do të kthehet në rutinën e përditshme të punës. Ju bëjmë edhe një herë thirrje qytetarëve, të bashkëpunojnë me Policinë Bashkiake si dhe u bëjmë thirrje qytetarëve, të mos ndërtojnë pa leje. Ligji do të zbatohet në mënyrë rigoroze, sepse ligji i shërben qytetit, i shërben qytetarëve”, - u shpreh sot, Drejtori i Policisë Bashkiake, z.Florenc Hoxha.

Në njoftimin zyrtar theksohet se aksioni do të vazhdojë, deri në kthimin në gjendjen fillestare.

Deri tani, Policia Bashkiake ka bërë bllokimin e punimeve, në 107 raste të ndërtimeve pa leje, ndërsa aksioni në terren vazhdon.

“Prishja e ndërtimeve pa leje do të kryhet çdo ditë”, përfundon deklarata zyrtare e bashkisë së Tiranës.

a.q/NOA

KOMENTE