Gjirokastër, 10 Gusht 2011 NOA/ Rid Bulku- U zhvillua sot në qytetin e Gjirokastrës, takimi me temë “Problematika kryesore për sezonin turistik të Qarkut Gjirokastër”, takim ky i organizuar nga Zyra e Shërbimit Turistik.
Takimi pati pjesëmarrje të gjerë nga pushteti qendror, ai lokal, bashkia Gjirokastër, Bashkia Tepelenë, Bashkia Përmet si dhe OJQ-të që bashkëpunojnë me këtë fushë. Njëkohësisht morën pjesë përfaqësues të Dhomës së Tregtisë në Gjirokastër por edhe biznesmenë të lidhur drejtpërdrejte me këtë sektor.
Përveç detyrave kryesore të saj si: dhënien e informacionit, shpërndarjen e broshurave, krijimin e një database për numrin e vizitorëve në pikat më të frekuentuara, shqyrtimin dhe trajtimin e ankesave të turistëve në bazë të legjislacionit shqiptar.
Zyra e Shërbimit Turistik është duke zbatuar një projekt të rëndësishëm në bashkëpunim me Universitetin Evropian të Turizmit për regjistrimin e të dhënave bazë të të gjitha subjekteve akomoduese turistike, agjencive turistike,si dhe të gjitha shoqatave kulturore e artistike që ofrojnë informacion në këtë fushë.
Nëpërmjet këtij projekti do të mjaftojë vetëm një klikim i turistëve të huaj dhe atyre shqiptarë në website për të gjetur të gjithë informacionin e mundshëm për një udhëtim të parashikuar jo vetëm në qarkun e Gjirokastrës por në të gjithë Shqipërinë.
Sipas prof. Messina, ky do jetë “projekti më i përparuar nga pikëpamje e analizës në Europë sepse janë sistemet që janë përdorur për vlerësimet e hotelerisë në Holandë, Zvicër, Bullgari dhe Austri me objektivin për të qenë uniform me sistemin turistik shqiptar dhe atë evropian”. Dr. Messina ka folur me detaje mbi projektin: “Për çdo produkt ne kemi hartuar një protokoll cilësie që tregon të gjithë karakteristikat e këtij produkti. Analiza do të bëjë të mundur nxjerrjen në pah të pikave të forta dhe pikave të dobëta të gjithë sistemit turistik në vend. Kjo do të sjellë dhe fushata të nevojshme për promovimin dhe përmirësimin e gjithë sistemit turistik. E gjithë kjo punë do të finalizohet me një publikim që do të prezantohet në fund të muajit shtator në një komunikim publik. Kjo do të bëjë të mundur që gjatë kësaj kohë ne të kemi një përgjigje për pyetjet se çfarë kërkojnë turistët e huaj kur vijnë në Shqipëri”. ***
Gjatë këtij takimi fokusi kryesor ishte vendosja e një zinxhiri bashkëpunimi nëpërmjet sektorit shtetëror dhe atij privat si një domosdoshmëri për rritjen e numrit të turistëve në rajon. Gjirokastra me specifikën e saj deri tani si problemin më kryesor shfaq mungesën e net- qëndrimeve (fjetjen) e turistëve, mungesë guidash turistike, probleme ndotjesh dhe papastërtish si dhe raportin çmim-cilësi në një nivel jo fort të kënaqshëm.
Por një përmirësim i mundshëm i kësaj situate do të arrihej nëpërmjet një vizioni të qartë për turizmin si dhe një bashkëpunimi konkret nëpërmjet faktorëve.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e biznesit kërkuan uljen e taksave për një mbarëvajtje në ecurinë e mëtejshme.
e.t/NOA