English

Vijon gjuetia e pallateve pa leje, Bashkia e Tiranës nis prishjen e të parit

Tiranë, 10 gusht 2011, NOA – Dy javë nga nisja e punës së kryebashkiakut të ri të Tiranës Lulzim Basha, Bashkia e Tiranës vë në jetë të parin aksion për shembjen e pallateve pa leje në kryeqytet, që nuk do të ndalet deri në prishjen e tërë pallateve pa leje që i kanë zënë frymën kryeqytetit.

Fatin të shembet i pari e pati një pallat pesëkatësh i ndërtuar në zemër të kryeqytetit, pranë rrugës së Kavajës.

Pallati pesëkatësh që është në ndërtim e sipër ndodhet në rrugën “Ismail Strazimiri”, pranë rrugës së Kavajës, dhe është një ndërtim mes shtëpive të banuara.

Ka qenë Drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës Florenc Hoxha, i cili deklaroi nisjen e prishjes së pallatit.

Hoxha tha për mediat se pallati është ndërtuar tërësisht pa leje.

Ai bëri me dije se ky pallat është i pari ndërtim pa leje që po prishet.

“Jemi të vendosur të zbatojmë ligjin, duke i shërbyer qytetarëve. Ky është ndërtimi i parë që do të prishet, jemi ende në fazën e parë të prishjes së strukturave të lehta dhe mureve. Ky është një ndërtim totalisht pa leje jashtë të gjitha rregullave të ndërtimit, janë katër kate pa leje, kemi kërkuar dokumentacion për pallatin, por s’na është dorëzuar”, tha Hoxha.

Drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës tha se janë shumë ndërtime pa leje të evidentuara brenda vijës së verdhë në kryeqytet, për të cilat siç tha ka edhe ankesa nga qytetarët.

“Ka edhe mjaft ndërtesa të tjera që do të prishen, pasi janë ndërtuar pa leje. Numri i tyre do të bëhet publik”, nënvizoi ai.

Sipas Hoxhës secilit ndërtim pa leje në kryeqytet do t’i vijë rradha të prishet.

Ndërkohë prishja e pallatit pesëkatësh pas shkatërrimit të strukturave të lehta gjatë ditës së sotme do të vijojë edhe gjatë natës kur do të shkatërrohen strukturat e rënda mbajtëse të tij.

Ndërkohë pak ditë më parë zëdhënësja e bashkisë së Tiranës Anila Bisha deklaroi se janë evidentuar 67 ndërtime pa leje në Tiranë.

mit/NOA

KOMENTE