English

Vritet pas një sherri mes turistësh një shtetas grek në Sarandë

Sarandë, 10 Gusht 2011 NOA/ Rid Bulku – Një shtetas grek gjeti vdekjen mbrëmjen e sotme pas një konflikti të dhunshëm mes tij dhe një turisti tjetër, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Ngjarja nisi sonte në orën 19.00 në Rrugën e 5-të në parkingun e Hotel “Olimpia” ku janë konfliktuar për motive banale (për parkimin e automjeteve të tyre në parkingun e hotelit) dy turistët, ai shqiptar me shtetësi franceze dhe një i moshuar grek.

Policia konfirmoi për agjencinë NOA se personat e përfshirë në sherr janë viktima Kostandinos Karadhimas, 79 vjeç, lindur dhe banues më Lamia, Greqi i cili ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, dhe Xhemal Kullai, 53 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Francë, me pasaportë franceze.

Të dy këta shtetas kanë qenë rezidentë në Hotel Olimpia, duke parkuar automjetet e tyre, përkatësisht njëri tip Nissan me targa greke MIB 3235 i shtetasit Kostandinos Karadhimas dhe automjetin tip Peugeot 407 AK 244 TG shtetasi Xhemal Kullai.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se gjatë konfliktit personat janë shtyrë me duar dhe një prej tyre, Kostandinos Karadhimas është rrëzuar përtokë duke u dëmtuar në kokë.

Menjëherë ky shtetas është transportuar për në spital ku ka ndërruar jetë.

Në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar rreth 8 dëshmitarë okularë që ishin rezidentë në hotel, familjarët e viktimës si dhe të autorit të dyshuar.

Policia tha se po punohet nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe zbardhjen të saj, kurse refuzoi të konfirmojë nëse ka ndaluar turistin shqiptaro-francez të përfshirë në ngjarje.

r.b/e.t/NOA

KOMENTE