Podgoricë, 10 gusht 2011, NOA – Në vijim të turit ballkanik, shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle viziton sot Kroacinë.
Ndërkohë dje ministri i Jashtëm gjerman gjatë takimit me kryeministrin malazez Igor Lukshiç deklaroi se nuk do të ketë bisedime për ndryshime kufijsh në ballkan.
“Gjermania nuk do të bisedojë për integritetin territorial të vendeve të rajonit e për ndryshimin e kufijve në Ballkan”, tha ministri gjerman.
“Integrimi përdrejt BE-së realizohet vetëm përmes demokracisë, reformave, bashkëpunimit dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve. Ne respektojmë qasjen e Malit të Zi për çështjen e Kosovës. Ekziston vetëm një rrugë për zgjidhjen e konflikteve, e kjo është dialogu” nënvizoi prerë kryediplomati gjerman.
Pas vizitës së sotme në Kroaci ku do të takohet me krerët më të lartë të vendit, kryediplomati gjerman Guido Westerwelle do të udhëtojë drejt Kosovës të enjten ku do të takohet me autoritetet më të larta të vendit, kryeministrin Hashim Thaçi, por edhe me krerët e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, si edhe shefin e KFOR-it, gjeneralin Erhard Buhler.
mit/NOA