U tha se një bashki në konflikt me qeverinë është diçka jo e mirë për qytetin. Tani bashkia është e tëra me qeverinë (madje është një degë e saj). Le të shohim sesa i mirë do të jetë ky fat i ri i Tiranës
Nga Skënder Minxhozi
Pas Piramidës dhe Sheshit Skënderbej, e para drejt shkatërrimit, i dyti drejt ndryshimit të projektit, administrata e re bashkiake po vihet përballë premtimeve të saj elektorale, në temën e hipotekimit të disa mijëra apartamenteve që ende nuk e kanë këtë dokumentacion. Gjatë fushatës zoti Basha kishte premtuar se rreth 60 mijë apartamente në gjithë Tiranën, do të paiseshin me çertifikatën e pronësisë brenda datës 15 nëntor. Asokohe ai pati thënë se 90% e rasteve të ndërtimeve të pahipotekuara janë banale dhe mjaft të lehta për t’u shkuar deri në fund brenda një kohe të shkurtër. Tani, disa dhjetëra mijë qytetarë të metropolit shqiptar kanë marrë në dorë kalendarin dhe po presin. Në dy rastet e mësipërme, sidomos në njërin prej tyre, atë të Piramidës, Lulzim Basha e ka shkelur fjalën e tij. Ai tha para zgjedhjeve se ishte kundër shembjes së Piramidës, ndërsa pak ditë më parë i deklaronte mediave të huaja se ishte për respektimin e ligjit. Pra, për shembjen e saj. Kësaj radhe, përballë lëmshit të ngatërruar të hipotekave, ai duhet të tregojë se do të jetë në gjendje të mbajë premtimin, duke respektuar edhe afatin. Problemi i hipotekave në Tiranë, është njëri ndër lëmshet e ngatërruar ku janë pleksur prej kohësh si pushteti qendror, ashtu edhe ai lokal. Vetë hipotekat varen nga qeveria, po ashtu edhe ALUIZNI, si agjenci që legalizon ndërtimet e palegalizuara, varet gjithashtu nga qeveria. Gjatë fushatës Rama dhe Basha u përplasën mëse një herë në lidhje me këtë lojë kompetencash, ndërsa zgjedhësit qëndronin në mes të hutuar, në pritje se hallet e tyre me dokumentacionin e shtëpive do të merrnin një zgjidhje. Tashmë e dimë të gjithë që bashkinë e mori sfidanti që premtoi më shumë. Edhe për hipotekat. Ka ardhur koha që të dëshmohet se nyja e hipotekave do të zgjidhet, megjithëse nuk është aspak e qartë sesi do të kryhet kjo. Problemet me devijimet e projekteve apo të detyrimeve të pashlyera të firmave të ndërtimit, janë të vështira e komplekse. Basha duhet të tregojë se ka shkopin magjik për të fituar aty ku Rama humbi. Mandati i Lulzim Bashës ka nisur, siç pritej, me ankimin publik për paratë në arkën e bashkisë. Siç dihet, prej dy vjetësh bashkia e Tiranës operon pa buxhet. Është një fakt i pamohueshëm se Ramës iu mbyll rubineti i buxhetit, ju bllokuan lejet e ndërtimit dhe ju krijua një rrethim financiar jo indiferent. Nëse Basha ankohet për 140 milion lekët në arkën e Bashkisë, ai duhet të pyesë më parë këshilltarët e tij dhe ata të LSI, se mos kanë ndopak gisht në këtë thatësirë financiare disavjeçare. Këto elemente që dalin nga javët e para të mandatit bashkiak të Lulzim Bashës, nuk japin ende shumë material për të gjykuar. Takimet me popullin, një klishe që ka aromën e një kohe tjetër, mund të ndihmojnë për të ndrequr pak imazhin publik, por në fund, pasi vizitorët të kenë dalë nga zyra, duhet të nisë puna. Basha ndodhet tashmë përballë Bashës. Koha ikën shpejt dhe gjysma e tiranasve (minus dhjetë) që dhanë votën, por edhe pjesa tjetër që votoi për Ramën, kanë të gjithë të drejtën e Zotit që të presin rezultate të shpejta. U tha se një bashki në konflikt me qeverinë është diçka jo e mirë për qytetin. Tani bashkia është e tëra me qeverinë (madje është një degë e saj). Le të shohim sesa i mirë do të jetë ky fat i ri i Tiranës.