English

Edi Rama, Kushtetuta dhe statuti i PS

Kushtetuta nuk është si dokumentet e Partisë Socialiste të cilat ai nuk i konsideron dhe askush nuk i zbaton, por duke qenë ligji themelor i shtetit, duke qenë njëherësh njëri nga produktet më cilësore të kohës kur në qeverisje ishte Partia Socialiste, nuk mund të ndryshojë sa herë ndryshojnë interesat e karriges së Edi Ramës

Nga Luan Rama

Sekretar i Përgjithshëm i LSI

Pavarësisht faktit që gushti është përgjithësisht muaj pushimesh, strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim po bëhen gati për të hyrë në një fazë të rëndësishme dhe do të thosha të veçantë, për rivitalizimin dhe riorganizimin e strukturave të partisë. Pas pak ditësh, në fillim të shtatorit, ne do të nisim fushatën e zgjedhjeve në parti. Një fushatë që do të shtrihet në të gjitha nivelet nga ku do të zgjidhen të gjitha strukturat drejtuese të partisë të çdo niveli, nga njësia bazë e deri tek Komiteti Drejtues Kombëtar, Kryesia dhe natyrisht edhe tek zgjedhja e Kryetarit të partisë mbi bazën e parimit, të njohur tashmë dhe të kthyer në vlerë për LSI-në, “një anëtar, një votë”.

Duke qenë se Lëvizja Socialiste për Integrim është parti përbërëse me peshë dhe rëndësi të veçantë në koalicionin qeverisës, natyrisht që kjo analizë nuk mund të mos shtrihet edhe tek performanca qeverisëse e të gjithë përfaqësuesve tanë në çdo nivel të qeverisjes. Në këtë kohë, pra pas dy vitesh në qeverisje, jo vetëm jemi në kohën e duhur por është dhe një hapësirë kohore e mjaftueshme për të bërë një analizë, për të bërë bilanc dhe mbi këtë bazë pastaj për të krijuar terrenin për të ndërhyrë, për të korrigjuar dhe për përmirësuar gjithçka që lidhet, gjithnjë dhe vetëm me performancën qeverisëse dhe me performancën politike të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Kjo periudhë, në mënyrë të veçantë periudha pasi u shpall rezultati për Bashkinë e Tiranës dhe humbja në garën për Tiranën e kryetarit të Partisë Socialiste, është shoqëruar me zëra, komente, aluzione apo edhe iluzione nga përfaqësues të ndryshëm të Partisë Socialiste, të cilët kanë lënë të kuptojnë që tek ta mund të ketë një sens reflektimi për bashkëpunim me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ne e kemi bërë të qartë dhe unë po e përsëris që Lëvizja Socialiste për Integrim është pjesë përbërëse e koalicionit qeverisës, është padyshim vlerë e shtuar e këtij koalicioni, është kontributore e rëndësishme, jo vetëm në stabilitetin politik në vend dhe në funksionimin normal të institucioneve të shtetit, por është padyshim kontributore e rëndësishme edhe në përballimin e sfidave të mëdha me të cilat është ballafaquar, jo thjesht qeverisja por e gjithë shoqëria shqiptare. Ndaj Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mund të shërbejë për të plotësuar tekat personale apo interesat personale të kryetarit aktual të Partisë Socialiste i cili, meqenëse humbi bashkinë, meqenëse është në opozitë për herë të parë në karrierën e vet politike, të mund të përdorë Lëvizjen Socialiste për Integrim që të katapultohet në karrigen e Kryeministrit. Aleancat dhe koalicionet e LSI-së ngrihen mbi bazamente që kanë në themel interesat evropiane të vendit dhe jo interesat individuale të askujt.

Ka qenë bashkëshoqërues me këtë debat dhe e ashtuquajtura ndjesë e kryetarit të Partisë Socialiste për gabimin që ai pranon në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Natyrisht, në politike dhe çdo njeri që bën politike, ashtu sikundër çdo njeri që punon, mund të bëhen gabime, por kur gabimet vijnë në mënyrë të qëllimtë, kur gabimet bëhen me vetëdije për të goditur balancën e pushteteve, për të eliminuar faktorë të tjerë politike dhe kur gabimet bëhen në dëm të interesave të vendit, kjo nuk mund të kalohet me një ndjesë normale por ajo që duhet të bëjë autori i gabimit është të marrë përgjegjësinë dhe të japë dorëheqje. Gjithsesi, Kushtetuta nuk është statuti i Partisë Socialiste, të cilin Edi Rama e ka ndryshuar si i ka dashur qejfi, Kushtetuta nuk është si dokumentet e Partisë Socialiste të cilat ai nuk i konsideron dhe askush nuk i zbaton, por duke qenë ligji themelor i shtetit, duke qenë njëherësh njëri nga produktet më cilësore të kohës kur në qeverisje ishte Partia Socialiste, nuk mund të ndryshojë sa herë ndryshojnë interesat e karriges së Edi Ramës.

KOMENTE