English

Greqi, “karta biometrike” për 530 mijë emigrantë të ligjshëm

Rëndësia e “kartës biometrike”, që pritet ta përftojnë rreth 530.000 imigrantë të ligjshëm, shumica dërmuese shqiptarë, është diçka më tepër se avantazhet e padiskutueshme që ajo sjell në statusin e imigracionit

Niko Anagnsoti

Me “karta biometrike” në vend të pullave vetëngjitëse në pasaportë do të pajisen imigrantët në Greqi. Greqia përmbush kështu një obligim të saj evropian për “leje qëndrimi të një tipi të vetëm”.

Rasti i tij është pjesë e “almanakut” të peripecive të imigracionit këto 20 vitet e fundit në Greqi: ka aplikuar në kohë, është me dokumente të rregullta por u mbush viti edhe ende nuk e merr lejen e qëndrimit. Astrit Korbi nga Skrapari:“Akoma edhe sot pas 13-14 vjetësh, që përjetohet si një mrekulli integrimi i shqiptarëve, unë personalisht nuk e kam marrë akoma pullën për lejen në pasaportë pavarësisht dokumenteve shumë të rregullta që disponoj”. Burokracia gjithë këto vite bënte bile dhe “mrekullinë” e saj, me karakterin grotesk që i jepte jo në pak raste fenomenit të pajisjes së imigrantëve me leje qëndrimi: “Kanë qenë të shumta rastet që emigranti në momentin që merrte në dorë lejen e qëndrimit ajo ishte e skaduar dhe duhet të fillonte procedurën nga e para” i thotë DW-së gazetari i imigracionit dhe botuesi i gazetës “Tribuna”, Robert Goro.

Greqia përmbush një obligim të saj evropian

Tani gjërat ndryshojnë dhe kjo faqe e “mundimshme” duket se mbyllet për imigracionin. Këtë thotë të paktën projektligji i paraqitur në parlament nga ministri i Brendshëm Haris Kastanidhis me titull “Mbi lejet e qëndrimit të shtetasve të huaj në vend në kushtet e sigurisë në rritje”, me të cilin Greqia bashkërendohet me rregulloren evropiane 380/2008 që i obligon vendet anëtare për pajisjen e imigrantëve me dokumente “të një tipi të vetëm”. Bëhet fjalë për “Karta biometrike” që gradualisht do të zëvendësojnë pullën vetëngjitëse të deritanishme në pasaportë dhe do të përfshijnë standarde të caktuara sigurie: Konkretisht do të jenë të pajisura me fotografi digjitale dhe shenjat e gishtërinjve të të dy duarve të aplikantit të cilat do të jenë të arkivuara në një mikroçip.

“Dua të pajisem, të jem edhe unë si emigrant i rregullt, si gjithë Evropa” i thotë DW-së Alekandër Çobaj nga Fieri me një ndjenjë të dukshme lehtësimi. Synimi i projektligjit, siç duket në 14 nenet e tij për mënyrën e procedurës së aplikimit ku parashikohet edhe komunikimi me zyrat e shërbimit dhe nëpërmjet postës elektronike, është përshpejtimi sa më shumë të jetë e mundur i marrjes së dokumenteve dhe dorëzimi i lejes së qëndrimit imigrantëve. Për rastet kur imigranti nuk ka mundësi të paraqitet parashikohet krijimi i njësive ambulante për marrjen e të dhënave biometrike.

Ata që refuzojnë të japin të dhënat mbeten pa leje

Sipas projektligjit, imigranti që refuzon të japë të dhënat biometrike do të mbetet pa leje qëndrimi. “Unë si person nuk kam asnjë problem të jap të dhënat e mia, shenjat e gishtërinjve, çfarë të duan ata. Vetëm të jem i qetë, të jem i lirë të vete në vendin tim, të kthehem pa asnjë lloj problemi”, thotë Aleksandri. Kjo është përgjigja ndaj kujdesit që tregon ligjvënësi –me të drejtë- por edhe ndaj skepticizmit të tepruar të disa zërave të tjerë se imigrantët do të ngurrojnë të japin të dhënat biometrike. “Teori të tilla konspirative nuk besoj se i përkasin aktualitetit. Aq më tepër që të paktën imigrantët shqiptarë kanë praktikën e pajisjes me karta biometrike identiteti dhe pasaporta biometrike”, - thotë Robert Goro. Kurse shton: “Mund të frenohen pak ose mund të ketë reagime për arsye në se do të duhet tu merren imigrantëve shenjat e gishtërinjve, por unë jam i sigurt se shumica dërrmuese e imigrantëve shqiptarë nuk kanë asnjë arsye përse të ngurrojnë, sepse nuk janë as të penalizuar dhe aq më tepër nuk janë të inkriminuar. Prania e tyre 20vjeçare në Greqi pavarësisht inkriminimit që është bërë kohë pas kohe nga një pjesë e medjeve, për fat të mirë ka shumë vjet që kjo nuk është më aktuale. Prania e tyre, puna e tyre, ndershmëria e tyre ka treguar që janë një komunitet shumë i integruar, me integritet moral dhe mund të themi se shoqëria greke tashmë i ka pranuar si pjesë integrale të saj”.

Qendra shërbimi “one shop stop” për imigrantët

E gjithë procedura e pajisjes me kartë biometrike shoqërohet dhe me një risi tjetër, krijimin e qendrave të shërbimit me një qëndrim, “one shop stop”, që do të merren ekskluzivisht me përgatitjen e dokumenteve të imigrantëve por edhe trajtimin e gjithë problematikës së imigrantëve. Gradualisht shërbimet në fjalë, një për çdo periferi, me përjashtim të Athinës dhe Pireut që do të kenë 10, Egjeut 12 dhe Selanikut 3, do të zëvendësojnë strukturat për të huajt pranë bashkive dhe policisë. Projektligji përmban dispozita për pajisjen me leje qëndrimi të punonjësve sezonalë, që nuk mund të punojnë më shumë se gjashtë muaj brenda një viti dhe për secilin punonjës punëdhënësi duhet të paguajë paraprakisht 150 euro.

Rëndësia e “kartës biometrike”, që pritet ta përftojnë rreth 530.000 imigrantë të ligjshëm, shumica dërmuese shqiptarë, është diçka më tepër se avantazhet e padiskutueshme që ajo sjell në statusin e imigracionit. “Kam përshtypjen se është shumë e rëndësishme që në momentet që Greqia po përballet me një krizë tepër të rëndë ekonomike dhe të gjitha bateritë janë përqendruar në luftimin e kësaj krize, qeveria megjithatë gjen kohë të merret edhe me emigrantët”. Të cilët meritojnë çdo përkujdesje.

KOMENTE