Tiranë, 11 gusht 2011, NOA/Albana Qehajaj – 18 ditë pas fillimit të grevës së urisë ka reaguar Partia Socialiste. Në deklaratën zyrtare, bërë nga deputeti Arben Ahmetaj theksohet shqetësimi për situatën e rënduar të grevës së urisë së minatorëve.
“Përgjegjësit e vetëm për jetën e minatorëve janë qeveria, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Punës. Shteti i munguar, indiferenca totale me ditë të tëra ndaj problemit dhe kërkesave të minatorëve, e ka sjellë situatën deri në rrezik jete njerëzish. Partia Socialiste mbështet kërkesat legjitime, ekonomike të minatorëve të minierës së Bulqizës dhe i kërkojmë Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Punës të ndërhyjnë urgjent për zgjidhjen e situatës së rënduar”, ka deklaruar deputeti Ahmetaj. Ahmetaj tha se bërja e investimeve do t’i sillte dyfishim prodhimi, përmirësim të kushteve të punës dhe rritjen e vlerës së kësaj pasurie kombëtare.
“Ndërkohë kompania ka përgjegjësi direkte në zbatimin e kushteve koncesionare. Në atë minierë punohet akoma me karroca dore si në vitet 1945. Kjo situatë është e papranueshme. Shfrytëzimi barbar i minierës dhe i minatorëve, mosbërja e investimeve, refuzimi dhe indiferenca e qeverisë ndaj minatorëve, është shprehje e drejtpërdrejtë se sa në vëmendje e ka qytetarin e saj kjo qeveri”, tha Ahmetaj duke siguruar se Partia Socialiste do të vazhdojë të mbështesë minatorët në kërkesat e tyre legjitime dhe do të vazhdojmë gjithashtu të ndjekim me shqetësim dhe vëmendje situatën tejet të tensionuar në Bulqizë