Tiranë, 11 gusht 2011, NOA – Ndërsa greva e urisë e minatorëve të Bulqizës është në ditën e 18-të, Partia Socialiste reagoi duke akuzuar si përgjegjës për jetën e minatorëve, Qeverinë, Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Punës.
Pas takimit nga afër me minatorët, deputeti i PS-së Arben Ahmetaj shprehu shqetësimin e thellë për situatën e rënduar të minatorëve të Bulqizës të ngujuar në grevë urie.
Ahmetaj deklaroi prerë se situata ka mbërritur në zgrip të rrezikut të jetës për minatorët për shkak të mungesës së shtetit dhe shpërfilljes totale të kërkesave të grevistëve nga autoritetet.
“Shteti i munguar, indiferenca totale me ditë të tëra ndaj problemit dhe kërkesave të minatorëve, e ka sjellë situatën deri në rrezik jete njerëzish”, tha deputeti socialist.
Ai shprehu mbështetjen e Partisë Socialiste ndaj kërkesave legjitime e ekonomike të minatorëve të minierës së Bulqizës, duke i kërkuar Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Punës të ndërhyjnë urgjent për zgjidhjen e situatës së rënduar.
“Ministria e Ekonomisë i ka të gjitha instrumentat ligjorë dhe institucionalë të detyrojë kompaninë ACR të zbatojë kontratën koncesionare, e cila përfshin bërjen e investimeve të cilat kanë vite që mungojnë në atë minierë. Mos bërja e investimeve nga ana e kompanisë ka si pasojë rrënimin e minierës, shfrytëzimi pa kriter dhe kushtet teknike primitive, me pasojë mbylljen e saj në krye të një viti e gjysmë. Bërja e investimeve do ti sillte dyfishim prodhimi, përmirësim të kushteve të punës dhe rritjen e vlerës së kësaj pasurie kombëtare. E si rrjedhojë dhe rritjen e përfitimit të minatorëve dhe familjeve të tyre, që kanë burim të vetëm jetese punën në atë minierë”, nënvizoi Ahmetaj.
Deputeti Ahmetaj akuzoi kompaninë koncensionare si përgjegjëse direkte se nuk ka ndërmarrë asnjë investim në minierë duke shtuar se “në minierën e kromit punohet akoma me karroca dore si në vitet 1945”.
“Kjo situatë është e papranueshme. Shfrytëzimi barbar i minierës dhe i minatorëve, mosbërja e investimeve, refuzimi dhe indiferenca e qeverisë ndaj minatorëve, është shprehje e drejtpërdrejtë se sa në vëmendje e ka qytetarin e saj kjo qeveri”, bëri me dije deputeti i PS-së.
Ai ripërsëriti se Partia Socialiste do të vazhdojë të mbështesë minatorët në kërkesat e tyre legjitime.
Ndërkohë Ahmetaj akuzoi edhe ekspertët e Repartit të Inspektim-Shpëtimit të Minierave për mosmbikqyrjen e minierës prej kohësh, duke theksuar se puna e tyre meriton një hetim të thellë në rastin konkret.
mit/NOA