English

LSI: Nuk bashkëpunojmë me PS, kushtetuta nuk ndryshohet sipas tekave të Ramës

Tiranë, 11 gusht 2011, NOA/Irma Toptani – Vetëm një ditë pasi kryeministri Berisha i bëri me dije opozitës se Kushtetuta nuk është statut partie, dhe as paketë karrigesh, edhe aleati më i ngushtë i qeverisë, Lëvizja Socialiste për Integrim e ka përforcuar reagimin e saj kundër ndryshimeve në kushtetutë duke deklaruar prerë se refuzon ftesën e PS-së për bashkëpunim në këtë pikë.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama duke i kthyer përgjigje eksponentëve të PS-së, deklaroi se LSI nuk do të bashkëpunojë me opozitën për ndryshimet kushtetuese, apo thënë më saktë për kërkesën e ardhshme të opozitës për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

Luan Rama tha se LSI-ja është kundër ndryshimeve kushtetuese pasi sipas saj Kushtetuta nuk mund të ndryshojë sa herë që ndryshon mendje Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

Sekretari Rama nënvizoi se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të bëhet palë me Partinë Socialiste dhe aq më pak t’i shërbejë tekave të kryeopozitarit Edi Rama, me qëllim që ky i fundit të marrë fronin kryeministror.

“LSI është një parti në koalicionin qeveritar dhe do të kontribuojë për këtë koalicion”, nënvizoi Rama për mediat.

Në këtë suazë sekretari i LSI-së i kujtoi shefit të opozitës se ndryshimet kushtetuese në vitin 2008 me firmën e Edi Ramës u bënë qëllimisht për të larguar LSI-në.

E duke iu referuar daljes më të fundit publike të liderit të opozitës ku ai shfaqi pendesë për ndryshimet në kushtetutë të vitit 2008, Luan Rama precizoi se një gabim i tillë i Edi Ramës ndaj LSI-së nuk mund të fashitet duke kërkuar ndjesë.

mit/NOA

KOMENTE